Trumpi pritet ta emërojë Mike Waltz-in këshilltar për Siguri Kombëtare
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thuhet se ka vendosur që ta emërojë kongresistin republikan nga Florida, Mike Waltz, si këshilltar të tij për Siguri Kombëtare.
Waltz-i, figurë besnike e Trumpit, që ka shërbyer në gardën kombëtare si kolonel, i ka kritikuar aktivitetet e Kinës në rajonin e Azisë dhe Paqësorit dhe e ka përmendur nevojën që Shtetet e Bashkuara të jenë të gatshme për një konflikt të mundshëm në rajon, raporton gazeta “The Guardian”.
Javën e kaluar, Waltz-i e rifitoi ulësen në Dhomën e Përfaqësuesve si përfaqësues i pjesës qendrore-lindore të Floridës. Ai e mposhti demokratin James Stockton, ish-pastor.
Waltz-i është i dekoruar si beretë e gjelbër dhe ka qenë këshilltar për politika në Shtëpinë e Bardhë dhe në Pentagon. Ai ishte zgjedhur së pari më 2018, duke e zëvendësuar republikanin Ron DeSantis, që kishte garuar për guvernator, në distriktin e gjashtë kongresist të Floridës.
Waltz-i ka shërbyer në disa operacione në Afganistan dhe është shpërblyer me katër Yje të Bronzta.
Ai ishte njëri nga katër ligjvënësit e emëruar në korrik për të shërbyer në një task-forcë dypartiake për ta hetuar vrasjen në tentativë ndaj Trumpit në Pensilvani në korrik të këtij viti.
Pasi ishte larguar nga ushtria, Waltz-i kishte punuar në Pentagon gjatë administratës së presidentit George Bush si drejtor politikash për ish-sekretarët e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld dhe Robert Gates.
Në periudhën e nënpresidentit Dick Cheney, Waltz-i ka shërbyer si këshilltar kundër terrorizmit.
Më 2021, pasi presidenti Joe Biden dha urdhër për evakuimin kaotik nga Afganistani, Waltz-i kërkoi nga ai që ta ndryshonte vendimin dhe të riniste operacione ushtarake në rajon.
“Intercept” raporton se para se të garonte për Kongres më 2018, ai kishte menaxhuar një firmë kontraktuese fitimprurëse të mbrojtjes me zyra në Afganistan.
Waltz-i vazhdimisht e ka shprehur nevojën për mbrojtjen e afganëve, duke thënë se “ushtarët amerikanë duhet të kthehen” [në Afganistan]./Nacionale