Trumpi e kërcënon Spanjën me ndërprerje të tregtisë: Po të donim t’ua përdornim bazat, do ta bënim - NACIONALE

Trumpi e kërcënon Spanjën me ndërprerje të tregtisë: Po të donim t’ua përdornim bazat, do ta bënim

1 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Spanjën me ndërprerje të plotë të marrëdhënieve tregtare, pasi shteti evropian refuzoi që t’i jepte Uashingtonit leje për përdorimin e dy bazave që operohen në mënyrë të përbashkët në jug të Spanjës për sulmet amerikane ndaj Iranit.

“Spanja ka qenë e tmerrshme” – tha Trumpi para gazetarëve gjatë një takimi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, duke shtuar se i ka thënë sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, që “t’i ndërpresë të gjitha lidhjet tregtare” me Spanjën, shkruan gazeta “The Guardian”.

Ai shtoi: “Ne do ta ndërpresim tërë tregtinë me Spanjën. Nuk duam të kemi asgjë me Spanjën.”

Kërcënimi i presidentit amerikan erdhi disa orë pasi ministri i Jashtëm i Spanjës i kishte minimizuar gjasat për ndonjë masë hakmarrëse nga Uashingtoni.

“Bazat e përdorura në mënyrë të përbashkët me ShBA-në janë baza sovrane spanjolle që operojnë brenda kornizës së traktatit me Shtetet e Bashkuara dhe ato mund të përdoren brenda këtij kushti – sovranitetit tonë dhe kornizës së traktatit” – tha ministri Jose Manuel Albares para gazetarëve pas një takimi javor të kabinetit qeveritar spanjoll të martën.

“Prandaj, nuk ka asgjë të çuditshme apo befasuese për këtë dhe ne nuk presim ndonjë pasojë” – shtoi ministri spanjoll, duke thënë gjithashtu se Uashingtoni nuk kishte kërkuar që t’i përdorte bazat në Rota dhe Moron.

“Unë nuk kam pasur asnjë bisedë të vetme me ndonjë përfaqësues amerikan e as nuk kam pasur ndonjë kërkesë në lidhje me këtë” – tha më tej Albaresi.

Trumpi gjithashtu e kritikoi Spanjën për refuzimin e propozimit të NATO-s që shtetet anëtare të aleancës t’i rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP).

“Të gjithë kishin entuziazëm për këtë – Gjermania, të gjithë – e Spanja nuk e bëri këtë. Tani Spanja tha se ne nuk mund t’i përdorim bazat e tyre – në rregull është. Ne do të mund t’i përdornim bazat e tyre. Po të donim, vetëm do të lëshoheshim me fluturime dhe t’i përdornim. Askush nuk do të na thotë që të mos i përdorim, por nuk na duhen. Por ata ishin jomiqësorë” – tha më tej presidenti amerikan.

Reaguan burimet qeveritare spanjolle, duke thënë: “Spanja është anëtare kyçe e NATO-s që i përmbush zotimet e veta dhe jep kontribut domethënës në mbrojtjen e territorit evropian. Ajo gjithashtu është forcë e madhe eksportuese brenda BE-së dhe partnere e besueshme tregtare për 195 shtete në mbarë botën – përfshirë Shtetet e Bashkuara, me të cilat ne mbajmë marrëdhënie tregtare të gjatë e me dobi reciproke.”

“Nëse administrata e ShBA-së dëshiron që ta rishikojë këtë marrëdhënie, ajo duhet ta bëjë këtë duke i respektuar autonominë e kompanive private, të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet dypalëshe mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”- thuhet më tej./Nacionale

Lajme të ngjashme