Trumpi e fshin videon ku Obama e gruaja e tij paraqiteshin në trupa majmunësh në xhungël - NACIONALE

Trumpi e fshin videon ku Obama e gruaja e tij paraqiteshin në trupa majmunësh në xhungël

3 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka fshirë një video që e kishte publikuar më herët në rrjete sociale e ku ish-presidenti Barack Obama e bashkëshortja e tij, Michelle Obama, paraqiteshin në trupa të majmunëve.

Klipi i përcjellë me këngën “Luani fle sonte” – ishte në fund të një videoje 62-sekondëshe që përmbante pretendime për mashtrim me vota në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së në vitin 2020, raporton televizioni BBC.

Senatori republikan, Tim Scott, i bëri thirrje presidentit që ta fshijë postimin, duke e përshkruar atë si “gjënë më raciste që e kam parë në Shtëpinë e Bardhë”.

Shtëpia e Bardhë fillimisht e mbrojti klipin, duke e quajtur “video meme e internetit” dhe u tha kritikëve që “ta ndalin zemërimin e rremë”.

Klipi që u ngjan karikaturave raciste ku personat me ngjyrë krahasohen me majmunë duket se ishte marrë nga një postim në rrjetin X që ishte shpërndarë nga krijuesi konservator i memeve, Xerias, në tetor.

Në video, edhe ish-presidenti tjetër amerikan, Joe BIden, paraqitet në trupin e një majmuni duke ngrënë banane.

Familja Obama ende nuk e ka komentuar videon.

Edhe pse vetë Trumpi nuk dha ndonjë koment në postimin e tij, vetëm shpërndarja e videos nxiti reagime të shumta.

“Sjelle e neveritshme nga presidenti. Secili republikan duhet ta denoncojë këtë. Tani” – tha zyra e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom.

Në një shkrim të shkurtër, guvernatori i Illinoit, JB Pritzker, tha se “Donald Trumpi është racist”./Nacionale

Lajme të ngjashme