Tronditje në Hungari: Aleatët e Orbanit blejnë gazetën më të lexuar, në prag të zgjedhjeve vendimtare
Blikk, tabloidi me rreth 3 milion lexues online në muaj, blihet nga grupi mediatik pro-Orban, Indamedia
Gazetarët e gazetës më të lexuar në Hungari janë shprehur të tronditur pasi një grup mediatik i konsideruar i afërt me partinë e kryeministrit nacionalist Viktor Orbán, Fidesz, bleu tabloidin nga pronarët e mëparshëm zviceranë, shkruan The Guardian.
Blerja, e cila vjen në prag të zgjedhjeve vendimtare të vitit të ardhshëm – ku Orbán përballet me një sfidë opozitare të paparë më parë – shihet gjerësisht si një tjetër përpjekje për të rritur ndikimin e qeverisë mbi median.
Grupi mediatik pro-Orbán Indamedia njoftoi të premten se kishte blerë një koleksion mediash hungareze nga kompania Ringier, përfshirë revistën Glamour dhe tabloidin Blikk, faqja e të cilit arrin rreth tre milion lexues online në muaj.
Kryeredaktori në largim i Blikk, Iván Zsolt Nagy, tha të hënën se ai dhe një menaxher tjetër i lartë po largoheshin “në marrëveshje të ndërsjellë” me pronarin e ri.
Ai u shpreh se ishte punësuar shtatë muaj më parë për të riposicionuar Blikk-un, “duke mos u fokusuar në sensacionalizëm, por në histori interesante” dhe për ta bërë atë “më të orientuar drejt publikut, duke mbuluar politikën, ekonominë dhe kulturën”.
Stafi i Blikk tha se ishte i shokuar.
“Pothuajse më ra të fikët kur dëgjova njoftimin,” tha një gazetar që kërkoi të mbetej anonim. “Për mua, kjo është moralisht e papranueshme.”
Blikk njoftoi emërimin e një kryeredaktori të ri, Balázs Kolossváry.
Shumë gazetarë që kanë vendosur të qëndrojnë thonë se janë në një pozitë të vështirë, pasi nuk ka më shumë media të pavarura ku mund të punojnë. Gjatë 15 viteve të fundit, Orbán ka krijuar një peizazh të gjerë mediash pro-qeveritare për të forcuar imazhin dhe rezultatet e tij në sondazhe.
Ndryshe nga praktika e zakonshme që marrëveshje të tilla ndodhin pas zgjedhjeve ose në periudha të qeta politike, blerja e Ringier Hungary ndodh më pak se gjashtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të prillit. Blikk shihej si një shënjestër kryesore për Orbán dhe Fidesz-in, në një kohë kur sondazhet tregojnë se ai ka një sfidant real për herë të parë në më shumë se një dekadë.