Tre gazetarë në mesin e 11 palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza
Spitalet në Gaza thonë se forcat izraelite vranë të paktën 11 palestinezë të mërkurën, përfshirë dy djem 13-vjeçarë dhe tre gazetarë, në rastin më të ri të dhunës që po e minon armëpushimin tremujor.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se një sulm ajror izraelit la të vrarë tre gazetarë palestinezë që po udhëtonin me një veturë për të incizuar një kamp të ri për personat e zhvendosur në zonën e Netzarimit, në pjesën qendrore të Gazës, raporton gazeta “The Guardian”.
Sindikata e Gazetarëve Palestinezë tha në një deklaratë se reporterët që vdiqën “po kryenin një mision humanitar e gazetaresk për ta incizuar dhe dokumentuar vuajtjen e civilëve”.
Në incidente të tjera në të njëjtën ditë, dy djem të moshës 13-vjeçare u vranë në pjesë të ndryshme të Gazës. Nga një sulm me dron në skajin lindor të kampit të refugjatëve Bureij u vranë një djalë, babai i tij dhe një burrë tjetër 22-vjeçar, sipas zyrtarëve në spitalin “Martirët e al-Aksës”.
Në një rast tjetër, një djalë 13-vjeçar, Moatsem al-Sharafy, u qëllua në kokë nga trupat izraelite, përderisa po mblidhte drunj për zjarr në qytezën Bani Suheila, sipas spitalit “Nasser”. Në pamje të publikuara në internet shihej babai i adoleshentit duke vajtuar mbi trupin e tij në një shtrat spitali.
Tre gazetarët e vrarë u identifikuan si Mohammed Salah Qashta, Abdul Raouf Shaat dhe Anas Ghneim.
Shaat ishte kontribuues i rregullt në agjencinë franceze të lajmeve AFP me fotografi e video, edhe pse agjencia tha se ai nuk ishte në detyrë në kohën e sulmit./Nacionale