Televizioni izraelit: Witkoff dhe Kushner s’do të largohen nga Egjipti pa u nënshkruar marrëveshja për Gazën - NACIONALE

Televizioni izraelit: Witkoff dhe Kushner s’do të largohen nga Egjipti pa u nënshkruar marrëveshja për Gazën

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i lartë por i paidentifikuar amerikan i ka thënë televizionit izraelit “Channel 12” se Uashingtoni dëshiron që të arrihet një marrëveshje për propozimin e ShBA-së për përfundimin e luftës në Gaza jo më larg se këtë javë.

Ky zyrtar tha se emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, nuk do të largohen nga Egjipti pa u arritur marrëveshja, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Bisedimet e tërthorta mes ekipeve negociuese të Izraelit dhe Hamasit tashmë kanë filluar në Egjipt.

Ndërmjetësit nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari ndodhen në Sharm El-Sheikh në përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje.

Zyrtarët nga Egjipti dhe Katari po zhvillojnë takime të ndara me dy palët e konfliktit për të themeluar një mekanixëm për zbatimin e fazës së parë të marrëveshjes, përderisa bombardimet e forcave izraelite po vazhdojnë në disa pjesë të Rripit të Gazës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha gjatë fundjavës se do të kërkojë nga palët e përfshira që “të lëvizin shpejt” dhe pretendoi se dy palët do të jenë duke punuar për “hollësitë e fundit”.

Javën e kaluar, Hamasi tha se pajtohej pjesërisht me planin 20-pikësh të paraqitur nga presidenti amerikan, por nuk iu pëgjigj disa kërkesave kyçe, përfshirë çarmatosjen e tij.

Presidenti amerikan dhe administrata e tij këmbëngulin se ai duhet ta fitojë Çmimin Nobel për Paqe, duke pretenduar se kreu i Shtëpisë së Bardhë ka arritur që të ndalë disa konflikte botërore, pëfshirë një mes Azerbajxhanit e Armenisë.

Lajme të ngjashme