Të paktën 50 palestinezë vriten në Gazë gjatë operacionit izraelit për shpëtimin e dy pengjeve - NACIONALE

Të paktën 50 palestinezë vriten në Gazë gjatë operacionit izraelit për shpëtimin e dy pengjeve

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite tha se ka shpëtuar dy pengje gjatë një bastisjeje të zhvilluar në orët e hershme të 12 shkurtit, duke shënuar një sukses të vogël, por me rëndësi simbolike, në përpjekjen e saj për të liruar mbi 100 pengje që besohet se po mbahen nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Të paktën 50 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore që ishin pjesë e kësaj bastisjeje, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Bastisja u krye në Rafah, qytet në cepin jugor të Rripit të Gazës ku 1.4 milion palestinezë janë zhvendosur për t’iu ikur luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në pjesën tjetër të territorit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se pengjet po mbaheshin në katin e dytë të një banese në Rafah, dhe po ruheshin nga pjesëtarë të armatosur të Hamasit, që gjendeshin si në banesë, por edhe në ndërtesat përreth.

Hagari tha se njësitë speciale hynë në ndërtesë, mes shkëmbimit të zjarrit, në orën 01:49 të së hënës, dhe një minutë më vonë, ushtria izraelite kreu sulme ajrore në zonat përreth. Ai tha se anëtarët e ekipit të shpëtimit mbrojtën pengjet me trupat e tyre përderisa u zhvillua një betejë e ashpër me shumë luftëtarë të Hamasit.

Sipas Dr.Marwan al-Hams, drejtor i spitalit Abu Youssef al-Najjar, në mesin e të vrarëve nga sulmet izraelite në Rafah kishte gra dhe fëmijë. /REL

Lajme të ngjashme