Sulm me dronë në një funeral në Sudan, raportohet për të paktën 40 të vrarë - NACIONALE

Sulm me dronë në një funeral në Sudan, raportohet për të paktën 40 të vrarë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Së paku 40 njerëz janë vrarë nga një sulm me dron që në shënjestër kishte një funeral që po mbahej afër qytetit që është nën kontrollin e ushtrisë sudaneze, el-Obeid, në shtetin e Kordofanit Verior të Sudanit, thonë zyrtarët dhe aktivistët.

Ata i fajësuan Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) për sulmin e së hënës ndaj fshatit al-Luweib, kur pjesëmarrësit në funeral ishin mbledhur në një tendë. RSF-ja nuk ka komentuar, raporton televizioni BBC.

Thuhet se shumë njerëz vdiqën para se të arrinin në spital në el-Obeid, qytet strategjik që e lidh kryeqytetin Khartoum me rajonin perëndimor të Darfurit.

Luftimet në zonën e pasur me naftë të Kordofanit janë intensifikuar dhe rreth 20 mijë njerëz u larguan nga qyteti el-Obeid javën e kaluar, pasi RSF-ja e kapi qytezën Bara, 30 kilometra në veri të këtij vendbanimi.

Qyteza ra në duart e grupit paramilitar në të njëjtën kohë me qytetin el-Fasher, i cili kishte qenë bastioni i fundit i ushtrisë në Darfur.

Prej asaj kohe ka pasur raportime për vrasje masive, dhunë seksuale, rrëmbime e plaçkitje të gjera në el-Fasher nga luftëtarët e RSF-së.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se edhe ekzekutimi jashtëgjyqësor i civilëve nga luftëtarët e RSF-së është raportuar në Bara.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) ka paralajmëruar se mizori të tilla mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./Nacionale

Lajme të ngjashme