Sullivani i ShBA-së thotë se palët janë afër armëpushimit në Gaza
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, ka thënë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, “është i gatshëm për të bërë një marrëveshje” për armëpushim në Gaza e lirim të pengjeve izraelite.
Gjatë vizitës së tij të shtatë në Izrael në pozitën që e mban aktualisht, Sullivani shtoi se bisedimet për pakt armëpushimi e lirim të pengjeve janë “në një pikë ku ajo [marrëveshja] mund të bëhet”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sullivani, që do t’i vizitojë edhe Egjiptin e Katarin, ndërmjetës kyçë në bisedimet mes palëve të konfliktit, tha se Izraeli e Hamasi janë “afër” dhe se tani çështja është te “lidhja e asaj largësie përfundimtare”.
Ai ua atribuoi progresin e fundit në bisedime armëpushimit me Hezbollahun në Liban, rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në Siri dhe “progresit ushtarak [të Izraelit] kundër infrastrukturës, formacionit dhe udhëheqësisë së lartë të Hamasit”.
“Zëri përreth këtyre bisedimeve është ndryshe sot se që ka qenë” – shtoi zyrtari amerikan, pasi qëndrimi i Hamasit ka ndryshuar dhe grupi tani është më i izoluar pas dobësimit të boshtit iranian.
“E pata përshtypjen sot nga kryeministri [Netanyahu] se ai është i gatshëm për të bërë një marrëveshje dhe kur të shkoj në Doha e Kajro, qëllimi im do të jetë që ta vendosim veten në një pozicion për të qenë të gjendje për ta përmbyllur këtë marrëveshje këtë muaj, jo më vonë” – tha Sullivani.
“Ka më shumë optimizëm në ajër, le të themi. Nuk do të isha këtu sot, nëse do të mendoja që kjo gjë thjesht po priste deri pas 20 janarit” – shtoi këshilltari amerikan, duke iu referuar datës së inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump./Nacionale