Suedia jep burgim të përjetshëm për djegien për së gjalli të pilotit jordanez në kafaz në Siri - NACIONALE

Suedia jep burgim të përjetshëm për djegien për së gjalli të pilotit jordanez në kafaz në Siri

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një burrë suedez të enjten u shpall fajtor për krime lufte e terrorizëm për rolin e tij në vrajsne e një piloti të forcës ajrore jordaneze, i cili ishte djegur për së gjalli në Siri para një dekade, thuhet në vendimin e Gjykatës së Qarkut në Stokholm.

Suedezi, i identifikuar në dokumentet e gjykatës si Osama Krayem, u dënua me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në ekzekutimin e Muath al-Kasabeh, i cili ishte djegur i gjallë në kafaz, pasi ishte kapur në Siri në dhjetorin e vitit 2014, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Krayem, 32 vjeç, më parë ishte dënuar për përfshirje në sulmet në Paris në vitin 2015 dhe në Bruksel më 2016 dhe ishte transferuar nga Franca në Suedi për t’u gjykuar në Stokholm.

I akuzuari ka mohuar se kishte vepruar qëllimisht. Avokati suedez i tij nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

ISIS-I, i cili dikur kishte pushtet mbi miliona njerëz në Siri e Irak, e kishte kapur pilotin jordanez dhe kishte publikuar një video të ekzekutimit të tij.

Edhe pse dëshmitë tregojnë se zjarri që e la të vrarë pilotin ishte ndezur nga një burrë tjetër, Krayem gjithashtu ishte i përfshirë në vrasje, tha gjykata suedeze.

“Gjykata e Qarkut ka gjetur se i pandehuri, përmes veprimeve të tij, kontribuoi në mënyrë aq aktive në vdekjen e pilotit, saqë ai duhet të konsiderohet autor” – tha në një deklaratë të gjykatës gjyqtarja Anna Liljenberg Gullesjo.

ISIS-i kishte nën kontroll pjesë të mëdha të territoreve të Irakut dhe Sirisë mes viteve 2014 e 2017, para se të mposhtej në bastionet e fundit në Siri në vitin 2019.

Sipas ligjeve suedeze, gjykatat mund të gjykojnë individë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare që janë kryer edhe jashtë vendit./Nacionale

Lajme të ngjashme