ShBA-ja kërkon nga OKB-ja heqjen e sanksioneve ndaj presidentit dhe ministrit të Brendshëm të Sirisë - NACIONALE

ShBA-ja kërkon nga OKB-ja heqjen e sanksioneve ndaj presidentit dhe ministrit të Brendshëm të Sirisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një draft-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të cilën do të hiqeshin sanksionet ndaj presidentit të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i cili pritet të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me homologun amerikan, Donald Trump.

Draft-rezoluta, të cilët agjencia e lajmeve “Reuters” e pa të martën, do t’i hiqte sanksionet edhe ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Sirisë, Anas Khattab. Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të hidhej në votim dokumenti. Për t’u miratuar në Këshillin e Sigurimit, një rezolute i nevojiten të paktën nëntë vota “për” dhe asnjë veto nga ShBA-ja, Rusia, Kina, Franca ose Britania.

Një numër i anëtarëve të grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili e udhëhoqi ofensivën kundër forcave të ish-presidentit Bashar al-Assad vitin e kaluar, janë nën sanksione të OKB-së – ndalim udhëtimi, ngrirje asetesh dhe embargo armësh – përfshirë udhëheqësin e grupit, Al-Sharaa, dhe ministrin e tij, Khattab.

Një komision i sanksioneve i Këshillit të Sigurimit rregullisht i ka dhuruar Al-Sharaas përjashtime nga ndalimi i udhëtimeve këtë vit, prandaj edhe nëse draft-rezoluta e hartuar nga Uashingtoni nuk miratohet para të hënës, presidenti sirian me gjasë prapëseprapë do të jetë në gjendje që ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë.

Trumpi njoftoi një ndryshim të madh të politikës amerikane në maj, kur tha se ai do t’ia hiqte sanksionet e vendit të tij Sirisë.

Vëzhguesit e sanksioneve brenda OKB-së nuk kanë parë “lidhje aktive” këtë vit mes HTS-së dhe grupit Al-Qaeda, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara që agjencia “Reuters” e pa në korrik të këtij viti.

Më parë i njohur si Fronti Nusra, HTS-ja ishte krahu zyrtar i Al-Qaedas në Siri deri në shkëputjen e marrëdhënieve më 2016./Nacionale

Lajme të ngjashme