ShBA-ja ia përsërit Izraelit thirrjen që të lejojë gazetarë të huaj në Gaza
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje Izraelit që ta lejojë praninë e gazetarëve të huaj në Gaza tani kur atje është në fuqi armëpushimi, i thanë të hënën dy zyrtarë amerikanë gazetës “The Times of Israel”.
Uashingtoni kishte filluar që ta bënte kërkesën më herët këtë vit dhe vetë Trumpi kishte thënë para gazetarëve, kur ishte pyetur në gusht, se do të donte që gazetarët e huaj të lejoheshin në Gaza, edhe pse kishte theksuar se ai vend nuk ishte i sigurt.
Disa pjesë të Gazës janë më të rrezikshme se të tjerat dhe Izraeli e ka ende nën kontroll pjesën lindore të enklavës. Njëri nga zyrtarët amerikanë tha se administrata e Trumpit e ka përtërirë kërkesën që gazetarëve t’u jepet qasje në Gaza.
Megjithatë, zyrtari tjetër amerikan pranoi se kjo çështje nuk është në krye të prioriteteve të Uashingtonit, duke lënë të kuptohej se presioni për temën mund të mos jetë dërrmues, duke i mundësuar Izraelit që të mos ndryshojë qëndrim.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Të dielën, Trumpi tha se i ka bërë trysni kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për një numër çështjesh që nga koha kur është rikthyer në pushtet.
“M’u desh ta shtyja atë paksa në një mënyrë ose tjetrën. Bëra një punë të shkëlqyeshme në shtyrje” – tha Trumpi, duke e përshkruar Netanyahun si “djalë shumë të talentuar”.
“Nuk më pëlqyen gjëra të caktuara që i bëri ai dhe ju patë se çfarë bëra unë për këtë” – shtoi presidenti amerikan./Nacionale