ShBA-ja ia heq embargon e armëve Brigadës Azov, njësi ukrainase me lidhje neo-naziste
Shtetet e Bashkuara ia kanë hequr kufizimet rreth transferimit të armëve amerikane dhe trajnimeve të profilit të lartë Brigadës së Azovit, njësi ushtarake ukrainase me të kaluar kundërthënëse, njoftoi të martën Departamenti i Shtetit.
Kjo masë do ta ndihmojë Brigadën Azov, në mesin e njësiteve luftërave më efikase dhe të popullarizuara në Ukrainë, që të shkojë përtej reputacionit të saj si lëvizje e së djathtës ekstreme, perceptim që komandantët e saj janë munduar ta hedhin poshtë, duke e cilësuar si propagandë ruse, raporton agjencia “Associated Press”.
Departamenti i Shtetit e zbatoi procesin e vetingut “Leahy” ndaj Brigadës Azov, e cila është inkorporuar në Gardën Kombëtare të Ukrainës si Brigada e 12-të e Forcave Speciale. Ligjet amerikane e ndalojnë ofrimin e pajisjeve dhe ushtrimeve për njësi të huaja ushtarake ose individë të dyshuar për kryerje të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Departamenti i Shtetit “nuk gjeti dëshmi të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga Brigada e 12-të Azov”, thuhet në një deklaratë.
“Kjo është një faqe e re në historinë e njësitit tonë. Azovi po bëhet edhe më i fuqishëm, edhe më profesional dhe edhe më i rrezikshëm për pushtuesit” – thuhet në një deklaratë të Brigadës Azov në rrjetin “Instagram”.
“Sigurimi i armëve dhe trajnimit nga Shtetet e Bashkuara jo vetëm që do ta rrisë kapacitetin luftarak të Azovit, por më e rëndësishmja, do të kontribuojë në ruajtjen e jetëve dhe shëndetit të personelit” – thuhet më tej në deklaratë.
Deri para këtij vendimi të Departamentit të Shtetit, një dispozitë në ligjet amerikane ia ndalonte Brigadës Azov dërgimin e luftëtarëve në ushtrime ushtarake perëndimore ose qasjen në armë të blera me fonde amerikane.
Sipas hulumtuesit gjerman të shkencave politike, Andreas Umland, në themelimin e Brigadës Azov ka “histori kundërthënëse, nëse jo paradoksale” të organizatave – Asambleja Sociale-Kombëtare, Patriotët e Ukrainës, Divizioni Misantropik dhe “Bratstvo” – me figura neo-naziste ruse.
Në një artikull të vitit 2014, gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, raportonte se shumë prej anëtarëve të Brigadës Azov kanë lidhje me grupe neo-naziste.
Brigada Azov ka nxitur kundërthënie në të kaluarën për shkak të lidhjes së hershme dhe dyshohet edhe të vazhdueshme me grupe të së djathtës ekstreme dhe me ideologjinë neo-naziste si dhe për shkak të përdorimit të simboleve kundërthënëse të lidhura me nazizmin dhe akuzave të mëhershme se disa pjesëtarë të njësitit kanë marrë pjesë në shkelje të të drejtave të njeriut.