Së paku katër të vdekur e 1,4 milion të evakuuar nga tajfuni “Fung-wong” në Filipine
Tajfuni “Fung-wong” shkaktoi vërshime e rrëshqitje dheu, ndërprerje të furnizimit me rrymë në provinca të tëra dhe la të vdekur të paktën katër njerëz, përfshirë dy fëmijë, para se të largohej nga Filipinet të hënën.
I njohur nga banorët vendës si “Uwan”, tajfuni “Fung-wong” ndodhi pak pas tajfunit “Kalmaegi”, i cili la të vdekur gati 200 njerëz në pjesën qendrore të shtetit me shumë ishuj, si dhe pesë të vdekur në Vietnam, raporton televizioni CNN.
Rreth 1,4 milion njerëz ishin evakuuar para se stuhia të arrinte në territor tokësor të dielën në mbrëmje, sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile. Tajfuni e goditi komunën bregdetare, Dinalungan, në ishullin kryesor Luzon, me erë që e arriti shpejtësinë deri në 185 kilometra në orë.
Rrëshqitja e dheut mbuloi një shtëpi dhe la të vdekur dy fëmijë në qytezën Kaypata në pjesën qendrore të Luzonit, tha të hënën zyrtari rajonal i mbrojtjes civile, Albin Ayson.
Ky rast ndodhi pas vdekjes së dy persona të tjerë – njëri u mbyt në ujë në provincën Catanduanes dhe një grua vdiq, pasi u zu nga mbetjet e një shtëpie të shembur në qytetin Catbalogan, sipas Mbrojtjes Civile.
Stuhia u dobësua gjatë lëvizjes mbi provincat malore veriore dhe fushat bujqësore gjatë natës, para se të nisej drejt Detit Jugor të Kinës dhe Tajvanit, sipas agjencisë së motit në Filipine, PAGASA.
Tani për tajfunin “Fung-Wong” po përgatitet edhe Tajvani. Atje, autoritetet kanë njoftuar për mbyllje të shkollave në distriktin lindor, Hualien, ndërsa urdhra për evakuim janë lëshuar në zonat që janë të rrezikuara nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut./Nacionale