Së paku 52 vjet burgim adoleshentit britanik për vrasjen e tri vajzave të vogla
Një adoleshent britanik, cili vitin e kaluar vrau tri vajza në një organizim vallëzimi, u dënua të enjten me të paktën 52 vjet burgim, për një sulm që kryeministri Keir Starmer e ka quajtur njëri nga momentet më pikëlluese në historinë e Britanisë.
Axel Rudakubana, 18 vjeç, pranoi se i kishte vrarë tri vajzat e vogla dhe kishte therur dhjetë persona të tjerë në korrikun e vitit të kaluar në qytezën Southport, mizori që e kishte shokuar Britaninë dhe ishte pasuar me disa ditë trazirash, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Prokurorja Deanna Heer than ë Gjykatën e Kurorës në Liverpool se Rubakubana ishte i obsesionuar pas dhunës dhe gjenocidit dhe se dy prej viktimave të tij pësuan lëndime aq të tmerrshme, saqë ato ishin “vështirë për t’u shpjeguar si diçka tjetër pos sadiste për nga natyra”.
Gjykatësi Julian Goose tha se Rudakubana duhet të vuajë burgim prej së paku 52 vjetësh. Ai shtoi se nuk mund të shqiptonte dënim me burgim të përjetshëm, sepse i akuzuari ishte 17 vjeç në kohën e sulmit, por se kishte pak gjasa që i dënuari të lirohej ndonjëherë.
Dy herë gjatë seancës së të dielës, Rudakubana u largua nga banka e të akuzuarit, pasi thoshte me zë të lartë se nuk ishte mirë. Ai refuzoi që të rikthehej në sallë për ta dëgjuar shqiptimin e dënimit.

Në gjykatë u shfaqën video shqetësuese të vajzave duke bërtitur e duke ikur nga ndërtesa. Një vajzë e përgjakur shihej duke kolapsuar jashtë ndërtesës, duke nxitur gulçima në pjesën e sallës së gjykatës ku ndodhej publiku.
“Ai na vuri në shënjestër, sepse ishim gra e vajza, të ndjeshme e gjah i lehtë” – tha në gjykatë Leanne Lucas, 36 vjeçe, mësuese e jogës që e kishte organizuar ngjarjen dhe ishte therur pesë herë.
Në sulm mbetën të vrarë Bebe King, 6 vjeçe, Elsie Dot Stancombe, 7 vjeçe, dhe Alice Dasilva Aguiar, 9 vjeçe. Ato ishin në mesin e 26 fëmijëve që po merrnin pjesë në organizimin veror.
Pas arrestimit, Rudakubana i kishte thënë policisë: “Më vjen mirë që ata fëmijë janë të vdekur, kjo më bën të lumtur.”
Prokurorja Heer tha se fotografitë dhe dokumentet e gjetura në një kompjuter në shtëpinë e të akuzuarit tregonin një obsesion të gjatë për dhunën, vrasjen dhe gjenocidin./Nacionale