Së paku 31 të burgosur vdesin nga trazirat e dhunshme në një burg të Ekuadorit
Një ditë me trazira të dhunshme në një burg në jugperëndim të Ekuadorit të dielën e shkaktoi vdekjen e të paktën 31 të burgosurve, tha agjencia e burgjeve.
Njëzet e shtatë të burgosur në qytezën Machala vdiqën nga asfiksia dhe “vdekja e menjëhershme nga varja”, sipas një deklarate të agjencisë së burgjeve SNAI. Nuk u dhanë hollësi të tjera se si vdiqën të burgosurit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Më herët të dielën, SNAI raportoi për katër të vdekur në burgun e njëjtë por në një incident tjetër, i cili ishte vënë nën kontroll nga policia taktike. Kjo trazirë ishte nxitur nga një riorganizim i të burgosurve në një objekt të ri të sigurisë së lartë, thuhet në deklaratë.
Ekuadori është ballafaquar me një valë të trazirave vdekjeprurëse në burgje viteve të fundit, duke rezultuar në vdekjen e qindra të burgosurve. Administrata e presidentit Daniel Noboa, e cila është zotuar për qasje më të ashpër ndaj krimit, thotë se dhuna në burgje është pasojë e luftës mes bandave për mbizotërim dhe kontroll territorial.
Në shtator, një trazirë e shkaktuar nga lufta mes bandave në burgun e njëjtë kishte lënë 14 të vdekur e 14 të lënduar. Disa ditë më vonë, 17 njerëz të tjerë u vranë në një trazirë në burg në qytetin Esmeraldas, afër kufirit me Kolumbinë./Nacionale