Së paku 22 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, ShBA-ja bën përpjekje për armëpushim - NACIONALE

Së paku 22 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, ShBA-ja bën përpjekje për armëpushim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet ushtarake izraelite në pjesë të ndryshme të Gazës lanë të vrarë të paktën 22 njerëz të mërkurën, thanë mjekët palestinezë, përderisa Shtetet e Bashkuara i shtuan përpjekjet për t’i tejkaluar pikat e mospajtimit mes Izraelit dhe Hamasit për arritjen e armëpushimit në enklavën palestineze.

Njëri nga sulmet ajrore la të vrarë të paktën dhjetë njerëz në një shtëpi shumëkatëshe në lagjen Sheikh Radwan të Qytetit Gaza të mërkurën, ndërsa pesë të tjerë u vranë në periferinë Zeitoun, thanë mjekët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në qytetin Deir Al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, ku janë strehuar qindra mijëra palestinezë, një sulm ajror izraelit la të vrarë tre njerëz.

Në Jabalia, ku ushtria izraelite ka qenë duke operuar për më shumë se tri javë, mjekët thanë se katër njerëz u vranë nga një sulm ajror izraelit.

Të martën, nga sulmet ushtarake izraelite u vranë të paktën 24 palestinezë në pjesë të ndryshme të Gazës, sipas mjekëve. Dy sulme ajrore goditën kampe me tenda në Mawasi, në perëndim të qytetit Khan Younis, duke lënë të vrarë 18 njerëz. Në mesin e të vdekurve ishin disa gra e fëmijë.

Nuk pati koment nga ushtria izraelite për këto incidente.

Përderisa Izraeli i vazhdoi bombardimet, Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po i bënin përpjekjet më intensive në disa muaj për të arritur armëpushim mes palëve. Një burim i afërt me bisedimet tha se kjo ishte përpjekja më serioze deri më tani për arritjen e një pakti.

Lajme të ngjashme