Së paku 16 nxënëse e humbin jetën nga zjarri në konviktin e tyre në Kenia - NACIONALE

Së paku 16 nxënëse e humbin jetën nga zjarri në konviktin e tyre në Kenia

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një konvikt i një shkolle për vajza në Kenia është kapluar nga zjarri, duke e shkaktuar vdekjen e 16 nxënëseve.

Zjarri shpërtheu pak pas mesnatës në shkollën për vajza “Utumishi” në Gilgil të distriktit Nakuru, tha policia e vendit afrikan, raporton gazeta “The Guardian”.

Ministri i Arsimit, Julius Migos Ogamba, u tha gazetarëve se 79 nxënëse të tjera janë lënduar, edhe pse 71 prej tyre tashmë janë liruar nga spitali. “Hetimet janë duke vazhduar, por shkaktari i zjarrit nuk është identifikuar ende” – tha ai.

Nxënëset e kësaj shkolle janë të moshave 15 deri 18-vjeçare dhe rreth 220 vajza ishin duke fjetur në konvikt, kur zjarri filloi në katin e dytë të ndërtesës. Dyert në atë kat fillimisht ishin të mbyllura dhe disa nga viktimat vdiqën pasi kërcyen nga dritaret, tha një anëtar i ekipeve emergjente.

Disa të mbijetuara u thanë ekipeve emergjente se një nxënëse i kishte vënë flakën një dysheku me shkrepëse. Ato nuk e dinin se cili mund të ishte motivi i nxënëses për këtë veprim.

Kjo është tragjedia më e re me zjarre në një shkollë të Kenias viteve të fundit. Më 2024, 21 djem e kishin humbur jetën nga zjarri në një shkollë në pjesën qendrore të vendit, kur konvikti i tyre ishte kapluar nga flaka, ndërsa në vitin 2017, nëntë vajza vdiqën nga zjarri në një shkollë në Kibera.

Lajme të ngjashme