Rusia thotë se zbuloi një plan britaniko-ukrainas për t’ia vjedhur një aeroplan “MiG-31” - NACIONALE

Rusia thotë se zbuloi një plan britaniko-ukrainas për t’ia vjedhur një aeroplan “MiG-31”

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) i Rusisë thotë se ka zbuluar një komplot të spiunëve britanikë e ukrainas për t’i joshur pilotët rusë që të vidhnin një aeroplan luftarak të tipit “MiG-31”, i armatosur me një raketë hipersonike “Kinzhal”, në këmbim të 3 milionë dollarëve si shpërblim, raportuan të martën mediat shtetërore ruse.

Agjencia shtetërore e lajmeve, RIA, e citoi FSB-në të ketë thënë se aeroplani i rrëmbyer do të fluturonte drejt një baze ajrore të NATO-s në qytetin Constanta të Rumanisë, ku do të mund të rrëzohej nga mbrojtja ajrore, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”.

FSB-ja, pasardhësja kryesore e KGB-së së periudhës sovjetike, tha se Ukraina e Britania kishin planifikuar një “provokim” të shkallës së lartë duke e përdorur aeroplanin e rrëmbyer dhe se inteligjenca ushtarake ukrainase ishte përpjekur që të rekrutonte pilotë rusë për 3 milionë dollarë për ta vjedhur aeroplanin luftarak.

“Masat e ndërmarra i kanë penguar planet e shërbimeve ukrainase e britanike të inteligjencës për një provokim të shkallës së lartë” – citohet të ketë thënë FSB-ja, sipas raportimit të agjencisë RIA.

Televizioni shtetëror shfaqi pamje të mesazheve dhe incizimeve të një burri për të cilin tha se ishte duke punuar për inteligjencën ukrainase dhe britanike dhe i kishte ofruar 3 milion dollarë një piloti rus që ta dërgonte aeroplanin “MiG” në Evropë dhe se këtij piloti gjithashtu i ishte ofruar nënshtetësia.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

“Kinzhal” është raketë balistike që hidhet nga ajri dhe për të cilën Moska thotë se është hipersonike, e aftë për të fluturuar me shpejtësi shumë të lartë dhe për të manovruar në fluturime që e kanë për synim vështirësimin e përcjelljes dhe të pengimit nga mbrojtja ajrore.

Rusia për një kohë të gjatë e paraqet Britaninë si armiken kryesore të saj. Moska e akuzon Londrën për nxitjen e luftës në Ukrainë, ndërsa inteligjencën britanike për ndihmë ndaj Ukrainës për organizimin e disa operacioneve thellë brenda Rusisë./Nacionale

Lajme të ngjashme