Rusia planifikon që të përdorë një kompani të sekuestruar amerikane për ta ushqyer ushtrinë e vet
Sipas një dokumenti të cilin e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”, janë duke u bërë plane që një kompani në pronësi amerikane, por e sekuestruar nga Kremlini dhe e vënë nën kontrollin shtetëror në Rusi, të shfrytëzohet për ta furnizuar me ushqim ushtrinë ruse, duke e rrezikuar potencialisht përmirësimin e raporteve të Moskës me Uashingtonin.
Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvillojnë bisedime për ta ndalur luftën në Ukrainë, prodhuesi i ushqimit të konservuar, “Glavprodukt”, i cili ishte sekuestruar në tetor dhe është kompania e vetme në pronësi amerikane që është vënë nën kontrollin shtetëror, është zënë në udhëkryq, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, ka thënë se trajtimi i kësaj kompanie do të jetë pjesë e bisedimeve rreth rivendosjes së marrëdhënieve mes Uashingtonit e Moskës.
Sekuestrimi ishte i nevojshëm për të siguruar prodhim të qëndrueshëm, përfshirë furnizimet në të ardhmen për gardën kombëtare dhe Ministrinë e Mbrojtjes, sipas një letre të rishikuar nga agjencia “Reuters” dhe që i është adresuar kryeprokurorit të Rusisë nga menaxhmenti i ri i kompanisë “Glavprodukt”.
Kompania tani është nën kontrollin e agjencisë federale për menaxhimin e pronave, Rosimushchestvo, pasi ishte sekuestruar nga Leonid Smirnov-i me bazë në Los Angeles.
Ministria e Industrisë dhe e Tregtisë e Rusisë dhe agjencia Rosimushchestvo nuk iu përgjigjën kërkesave për koment rreth planeve shtetërore për kompaninë “Glavprodukt” dhe pyetjeve rreth menaxhmentit të saj të ri.
Prokurorët rusë e kanë akuzuar Smirnovin dhe kompanitë e kontrolluara nga ai për tërheqjen e rreth 1,38 miliard rublave (17 milionë dollarë) nga Rusia nga viti 2022 deri më 2024, raportoi në mars e përditshmja RBC.
Më 12 mars, asetet e kompanisë u sekuestruan nga Gjykata e Arbitrazhit në Moskë me kërkesën e zyrës së kryeprokurorit. Një seancë është caktuar për datën 18 prill. Smirnovi mohon se ka bërë ndonjë shkelje dhe thotë se padia është “bastisje korporatash e stilit rus” për ta vjedhur kompaninë e tij.
Kryeprokurori i Rusisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli