Rusi Kostin paralajmëron se BE-ja ballafaqohet me 50 vjet gjyq, nëse ia merr asetet e ngrira Rusisë - NACIONALE

Rusi Kostin paralajmëron se BE-ja ballafaqohet me 50 vjet gjyq, nëse ia merr asetet e ngrira Rusisë

1 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Shefi ekzekutiv i bankës ruse VTB, Andrei Kostin, tha se Moska do të hakmerrej, nëse Bashkimi Evropian i shfrytëzon asetet e ngrira ruse për t’i dhënë një hua Ukrainës dhe paralajmëroi se Rusia do të niste një proces gjyqësor gjysmëshekullor për këto para.

Në një samit të mbajtur në tetor, udhëheqësit e BE-së u munduan që të pajtoheshin për një plan rreth përdorimit të 140 miliardë eurove nga asetet e ngrira sovrane ruse në Evropë si hua për Kievin, por dështuan që ta siguronin mbështetjen e Belgjikës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas planit të Bashkimit Evropian, asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë në Evropë do t’i jepeshin si hua Ukrainës që t’i përdorte për mbrojtje dhe për nevoja të rregullta buxhetore.

“Sa i përket konfiskimit të parave tona, në fund, ne mund t’ia dalim pa to. Problemi i vetëm është që këto para mund të përdoren për luftë, jo për paqe” – tha Kostini, duke folur para vizitës së emisarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Moskë.

“Është e përshtatshme që të zhvillosh luftë jo vetëm me duart e të tjerëve, por gjithashtu edhe me paratë e të tjerëve – kjo është mjeshtëria themelore për Evropën, por nuk mund të ketë justifikim për të” – tha financieri rus.

Sipas tij, Rusia do të hakmerrej për konfiskimin e parave duke konfiskuar asete që janë në pronësi të investitorëve evropianë në Rusi dhe shtoi se “50 vjet gjyq” do të mund të pasonin edhe pasi paqja në Ukrainë të jetë arritur.

Ai tha se Rusia duhet të jetë më aktive në paditë kundër Bashkimit Evropian, Belgjikës dhe “Euroclear”-it për asetet në gjykata ruse e ndërkombëtare dhe sugjeroi një padi në gjykatën e Kombeve të Bashkuara.

Kostini, njëri nga financierët më të fuqishëm në Rusi, ishte më i hapur ndaj idesë për ndarjen e aseteve sovrane ruse si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për arritjen e paqes në Ukrainë, transmeton gazeta "Nacionale".

Sipas një versioni të hershëm të planit të paqes të mbështetur nga ShBA-ja, i publikuar në media, 100 miliardë dollarë nga fondet e ngrira do të investoheshin në rindërtimin e Ukrainës, ndërsa pjesa tjetër në një fond të përbashkët ShBA – Rusi.

“Herët a vonë, ne do të arrijmë një marrëveshje. Jeta dëshmon se duhet të kërkohen kompromise. Rusia gjithashtu është e gatshme për to, pasi nuk ka lëvizje njëkahore në bisedime” – tha ai.

Lajme të ngjashme