Reagime të shumta në botë pas vrasjes së punëtorëve të huaj të ndihmave në Gaza - NACIONALE

Reagime të shumta në botë pas vrasjes së punëtorëve të huaj të ndihmave në Gaza

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Disa shtete e organizata ndërkombëtare kanë reaguar pas vrasjes së shtatë punëtorëve të organizatës Kuzhina Qendrore Botërore në Gaza të martën.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha: “Kjo dëshmon se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të cilën bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm, qasje të plotë humanitare dhe mbrojtje të përforcuar të civilëve, duhet të zbatohet menjëherë.”

Shtëpia e Bardhë e ShBA-së është “zemërthyer dhe thellësisht e shqetësuar” nga sulmi që la të vrarë shtatë punëtorë të ndihmave në Gaza. “Punëtorët e ndihmave humanitare duhet të mbrohen, përderisa ata shpërndajnë ndihma që janë dëshpërimisht të nevojshme dhe ne i bëjmë thirrje Izraelit që të hetojë shpejt se çfarë ndodhi” – tha këshilltarja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson.

Britania e Madhe tha se “do të kërkojë urgjentisht të dhëna të mëtejme” për vdekjen e një punëtori britanik të ndihmave në Gaza, tha të martën Zyra e Jashtme. “Ne jemi të vetëdijshëm për raportimet për vdekjen e një shtetasi britanik në Gaza dhe do të kërkojmë urgjentisht të dhëna të mëtejme” – tha një zyrtar i Zyrës së Jashtme.

Kina e ka dënuar vrasjen e shtatë punëtorëve të organizatës së ndihmave. “Kina i kundërshton të gjitha aktet që lëndojnë civilë, që dëmtojnë objekte civile dhe që e shkelin të drejtën ndërkombëtare” – tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, duke shtuar se Kina është “e shokuar nga sulmi”.

Ministria e Jashtme e Polonisë në rrjetin X shkroi: “Ne ia shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes së vullnetarit [polak] që ishte duke i ofruar ndihmë popullit palestinez në Rripin e Gazës. Polonia ankohet për shpërfilljen e së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe mbrojtjes së civilëve, përfshirë punëtorët humanitarë.”

Nënsekretari i Përgjithshëm për Çështje Humanitare dhe koordinatori për Lehtësim Emergjent në OKB, Martin Griffiths, tha se ai është “i indinjuar nga vrasja e punëtorëve të ndihmave të Kuzhinës Qendrore Botërore në Gaza”, duke i përshkruar ata si “heronj, të vrarë gjatë përpjekjeve për t’i ushqyer njerëzit që po vdisnin urie”. “Tërë këto fjalë për armëpushime dhe prapë kjo luftë i vjedh më të mirët nga ne. Veprimet e atyre që janë prapa këtij [sulmi] janë të pambrojtjshme. Kjo duhet të ndalet” – shkroi Griffiths në rrjetin X, raporton televizioni CNN.

Për vrasjen e punëtorëve reagoi edhe Programi Botëror i Ushqimit, agjenci e OKB-së. “Ky sulm ndaj komunitetit tonë ndërkombëtar është i papranueshëm. Siguria e punëtorëve të ndihmave është kryesore, siç është siguria e atyre që vijnë për të marrë ndihmë. #JoCak” – shkroi në rrjetin X drejtoresha ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit, Cindy McCain.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në rrjetin X shkroi: “Edhe sa jetë do të humben derisa të ketë armëpushim? Ne jemi të indinjuar nga vrasja e punëtorëve humanitarë në Gaza. Siguria është kërkesë themelore për shpërndarjen e ndihmës jetëshpëtuese.”

Ushtria izraelite tha se është duke e hetuar vrasjen e punëtorëve "në nivelet më të larta".

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme