Raportohet se Turqia ka kërkuar nga inteligjenca britanike mbrojtje shtesë për Al-Sharaan - NACIONALE

Raportohet se Turqia ka kërkuar nga inteligjenca britanike mbrojtje shtesë për Al-Sharaan

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Agjencia turke e inteligjencës, MIT, muajin e kaluar kërkoi nga agjencia britanike e inteligjencës, MI6, që të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa, pas komploteve të fundit për ta vrarë atë, sipas pesë personave të afërt me këtë çështje.

Pasi agjencia “Reuters” e publikoi këtë artikull, Turqia mohoi se agjencia e saj e inteligjencës kishte bërë kërkesë të tillë për agjencinë britanike MI6.

Kjo kërkesë, nëse është bërë, i vë në pah përpjekjet e aleatëve të jashtëm për të mbështetur një shtet që ende po lëkundet nga dhuna sporadike 15 muaj pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad, kur lufta amerikano-izraelite ndaj Iranit tashmë po e godet rajonin më gjerë.

Aleatët e shohin Al-Sharaan si figurë jetike për parandalimin e rikthimit të luftimeve sektare ose një lufte civile, pasi konflikti civil 14-vjeçar shkaktoi miliona refugjatë jashtë vendit dhe i mundësoi ISIS-it që të kontrollonte pjesë të mëdha të territorit të Sirisë.

Militantët muajin e kaluar i shtuan sulmet ndaj personelit të sigurisë në pjesë të ndryshme të Sirisë dhe e shpallën Al-Sharaan “armik numër një”.

Nuk ishte e qartë se çfarë saktësisht kishte kërkuar agjencia MIT nga MI6 ose çfarë roli ka marrë kjo e fundit, nëse ka marrë ndonjë rol.

Presidenca turke tha në një deklaratë se agjencia MIT mban bashkëpunim efikas në luftën kundër terrorizmit me komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës dhe njësitet e sigurisë në Siri, por se ky artikull nuk e pasqyron të vërtetën.

“Ndryshe nga ajo që pretendohet në raportin në fjalë, nuk është e vërtetë që MIT i ka bërë ndonjë kërkesë MI6-ës në lidhje me mbrojtjen e presidentit sirian ose që ka tentuar të marrë një rol të tillë” – tha zyra për komunikim.

Turqia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara i dhanë mbështetje Al-Sharaas vitin e kaluar në përpjekje për ta ribashkuar e rindërtuar shtetin me 26 milionë banorë. Londra dhe Uashingtoni i kanë shfuqizuar shumicën e sanksioneve ndaj Sirisë dhe ndaj grupit Hayat Tahrir al-Sham, i cili dikur drejtohej nga ai që sot është president./Nacionale

Lajme të ngjashme