Raportohet se ShBA-ja do t’ua dorëzojë evropianëve dy pika të komandës së NATO-s - NACIONALE

Raportohet se ShBA-ja do t’ua dorëzojë evropianëve dy pika të komandës së NATO-s

3 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtetet e Bashkuara do t’u dorëzojnë oficerëve evropianë dy prej pikave të rëndësishme të komandës së NATO-s – atë në Napoli të Italisë dhe tjetrën në Norfolk të Virgjinias – i tha të hënën agjencisë së lajmeve “Reuters” një burim ushtarak.

Kjo lëvizje është në vijë me kërkesat e presidentit Donald Trump që shtetet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre. Administrata e tij ka bërë thirrje që aleanca ushtarake, e mbizotëruar për kohë të gjatë nga Uashingtoni, të bëhet “NATO e udhëhequr nga evropianët”.

Si pjesë e riformatimit të komandës, oficerët evropianë do t’i marrin nën kontroll Komandën e Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli dhe Komandën e Përbashkët të Forcave në Norfolk, të dyja të udhëhequra tash për tash nga admiralë amerikanë, tha burimi, duke folur në kushte anonimiteti.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara do ta marrin drejtimin e tri komandave që gjenden pak më poshtë në hierarki, por që bartin përgjegjësi të konsiderueshme për operacione – Komandën Ajrore Aleate, Komandën Detare Aleate dhe Komandën Tokësore Aleate, thanë burimi ushtarak dhe një person tjetër i afërt me çështjen.

Kur u pyet për ndryshimet e planifikuara, një zyrtar i NATO-s tha: “Aleatët janë pajtuar për një shpërndarje të re të përgjegjësisë së oficerëve të lartë në mbarë Strukturën e Komandës së NATO-s në të cilën aleatët evropianë, përfshirë anëtarët më të rinj të NATO-s, do të luajnë një rol më të shquar në lidershipin ushtarak të aleancës.”

Zyrtari i NATO-s më tej tha se vendimi lidhet me “planifikimin për rotacionet e së ardhmes” dhe më shumë hollësi do të ofrohen në kohën e duhur.

Për ndryshimet në komandën e NATO-s kishin raportuar më herët mediat “La Letrre” dhe “Politico”./Nacionale

Lajme të ngjashme