Raportohet se Rusia i ka dhënë Koresë së Veriut mbi një milion fuçi naftë këtë vit
Rusia vlerësohet se e ka furnizuar Korenë e Veriut me më shumë se një milion fuçi naftë nga marsi i këtij viti, sipas analizës së pamjeve satelitore nga Qendra “Burimi i Hapur”, grup hulumtues jofitimprurës me seli në Britaninë e Madhe.
Kjo naftë është pagesë për armët dhe trupat që Penjani ia ka dërguar Moskës për ta përkrahur luftën e saj në Ukrainë, i kanë thënë BBC-së sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, dhe disa ekspertë të njohur.
Këto dërgesa i shkelin sanksionet e OKB-së, me të cilat shteteve u ndalohet shitja e naftës në Korenë e Veriut, përpos sasive të vogla, në përpjekje për ta dëmtuar ekonominë e saj që t’i parandalohet zhvillimi i mëtejmë i armëve bërthamore.
Pamjet satelitore, të ndara në mënyrë ekskluzive me BBC-në, shfaqin më shumë se dhjetë anije transportuese të naftës të Koresë së Veriut duke arritur në një terminal nafte në Lindjen e Largët të Rusisë gjithsej 43 herë gjatë tetë muajve të kaluar.
Në pamje të tjera, ku janë fotografuar anijet në det, duket se shfaqen anijet transportuese duke arritur të zbrazura, ndërsa duke u larguar të ngarkuara pothuajse plot.
Koreja e Veriut është shteti i vetëm në botë që nuk i lejohet të blejë naftë në tregun e hapur. Numri i fuçive të naftës së përpunuar që mund të pranojë është i kufizuar nga OKB-ja në 500 mijë në vit, dukshëm më pak se sasia që i nevojitet.
Ministria e Jashtme e Rusisë nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për të dhënë një koment.
Dërgesa e parë e naftës, e dokumentuar nga Qendra “Burimi i Hapur” në një raport të ri, ishte më 7 mars të këtij viti, shtatë muaj pasi ishte marrë vesh se Penjani do të dërgonte armë në Rusi.
Dërgesat kanë vazhduar, përderisa mijëra trupa të Koresë së Veriut raportohet se janë dërguar në Rusi për të luftuar kundër Ukrainës. Dërgesa e fundit u regjistrua më 5 nëntor./Nacionale