Raportohet se Netanyahu ka miratuar marrëveshje milionëshe të kompanive të mbrojtjes me Katarin
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka miratuar marrëveshje shumëmilionëshe mes kompanive të njohura izraelite të mbrojtjes dhe Katarit, sipas mediumit “Walla”.
Raporti vjen një ditë pas publikimit të dokumenteve të konfiskuara nga Izraeli në Gaza të cilat e shfaqin bashkëpunimin intensive të Katarit me Hamasin ndër vite, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Kompanitë “Elbit”, “Rafael” dhe “Israel Aerospace Industries” kanë marrë autorizime për marrëveshje të rëndësishme me shtetin e pasur të Gjirit Persik.
Sipas raportit, kompania “Elbit” është pajtuar për marrëveshje me Katarin që e kanë vlerën e më shumë se 100 milionë dollarëve; kompania “Rafael” ka nënshkruar kontrata me vlerë të dhjetëra milionë dollarëve, ndërsa shefat ekzekutivë të kompanisë “Israel Aerospace Industries” e kanë vizituar kryeqytetin e Katarit, Doha, më shumë se 20 herë dhe kanë zhvilluar një takim që zgjati një ditë me një delegacion të lartë nga Katari në selinë qendrore të kompanisë në Izrael.
Raportohet se këtyre marrëveshjeve u është dhënë drita e gjelbër, përpos nga Netanyahu, edhe nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.
Zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës “The Times of Israel” për ta komentuar raportin e mediumit “Walla”.
Kompania “Elbit Systems” tha: “Aktiviteti i Elbit Systems në tregun ndërkombëtar është subjekt i udhëzimeve dhe kufizimeve të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit dhe, sipas rrethanave, kompania operon nën këto udhëzime.”
“Rafael nuk ofron të dhëna për partnerët e biznesit. Rafael ka operuar dhe operon sipas standardeve më të rrepta ndërkombëtare sa i përket pëlqimit rreth partnerëve të vet në biznes dhe në përputhje me Ligjin për Kontrollin dhe Licencimin e Eksporteve” – tha kjo kompani./Nacionale