Raportohet se ministri Smotrich e ka akuzuar Netanyahun për tradhti ndaj ushtarëve të vrarë
Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, thuhet se ka qenë i zemëruar pas dorëzimit të hartave të reja të mërkurën nga negociatorët izraelitë, në të cilat paraqitet tërheqja e pjesshme e trupave nga Gaza gjatë një armëpushimi 60-ditor.
Dorëzimi i hartave të reja nga pala izraelite u bë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Hamasi e refuzuan planin fillestar të Izraelit për dislokimin e trupave gjatë armëpushimit, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Burime që kanë njohuri të drejtpërdrejtë rreth çështjes thanë të mërkurën se, me ta pranuar hartën fillestare të Izraelit për dislokimin e trupave, emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witfkoff, i tha ministrit të Punëve Strategjike të Izraelit, Ron Dermer, se harta ishte e papranueshme dhe se ajo do t’i prishte bisedimet.
Emisari amerikan më tej paralajmëroi se çfarëdo harte që “i ngjan planit të Smotrich-it” – duke lënë kontroll të gjerë dhe të vazhdueshëm izraelit të Gazës – nuk është e pranueshme për administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas një transkripti që po qarkullon në mediat izraelite, ministri Smotrich gjatë një takimi të mbyllur të enjten në mëngjes e kritikoi atë që duket si gatishmëri e re e Izraelit për të qenë fleksibil sa u përket kushteve të tërheqjes së ushtrisë izraelite si dhe e akuzoi kryeministrin Benjamin Netanyahu se po ua kthen shpinën familjeve të ushtarëve të rënë.
“Nëse janë të vërteta raportimet për gatishmërinë e kryeministrit për t’u tërhequr nga zonat që u pushtuan nga luftëtarët tanë me kosto të lartë si pjesë e një marrëveshjeje për pengjet, kjo do të ishte një tradhti serioze ndaj ushtarëve dhe familjeve që e sakrifikuan atë që ishte më e dashura për ta dhe shkelje e zotimit që u ishte dhënë atyre” – citohet të ketë thënë ministri Smotrich.
Çfarëdo plani që e përfshin tërheqjen e trupave izraelite nga zonat që ato i kontrollojnë aktualisht do të ishte “goditje jologjike dhe e pamoralshme në fytyrë”, shtoi ai.
Smotrich-i, kryetar i partisë Zionizmi Religjioz, thuhet se i ka anuluar shumicën e takimeve për të enjten dhe, në vend të tyre, do të mbajë konsultime në lidhje me çështjen e tërheqjes së pjesshme të trupave nga enklava palestineze./Nacionale