Raportohet se Izraeli mund ta sulmojë Iranin i pari, nëse merr vesh se do të goditet së shpejti - NACIONALE

Raportohet se Izraeli mund ta sulmojë Iranin i pari, nëse merr vesh se do të goditet së shpejti

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Izraeli do ta shqyrtonte nisjen e një sulmi parandalues për ta frenuar Iranin, nëse do të zbulonte dëshmi të forta që Teherani është duke përgatitur një sulm, raportuan mediat hebraike, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu i mblodhi shefat e sigurisë në një takim të dielën në mbrëmje.

Takimi, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, komandanti i ushtrisë, Herzi Halevi, drejtori i Mossad-it, David Barnea, dhe drejtori i Shin Bet-it, Ronen Bar, u mbajt në kohën e përgatitjeve për sulme të pritshme ndaj Izraelit nga Irani dhe grupi i tij aleat nga Libani, Hezbollah, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Vlerësimi se Irani ka gjasa që ta sulmojë Izraelin ditëve ose javëve të ardhshme vjen pas vrasjes së kreut ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr, në Bejrut dhe kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran. Irani e ka fajësuar Izraelin për vdekjen e Haniyeh-ut dhe është zotuar për hakmarrje.

Izraeli nuk është i sigurt se çfarë të presë nga Irani dhe grupet e tij aleate, tregojnë raportet, prandaj është duke diskutuar një varg të gjatë opsionesh se si t’i kundërpërgjigjet ose të parandalojë një sulm të pritur.

Gjatë takimit, opsioni i sulmit ndaj Iranit si masë parandaluese u diskutua, raportoi mediumi “Ynet”, edhe pse zyrtarë të sigurisë theksuan se një lëvizje e tillë do të autorizohej, vetëm nëse Izraeli do të siguronte të dhëna përfundimtare të inteligjencës me të cilat do të vërtetohej se Teherani do të ishte duke nisur një sulm drejtpërdrejt.

Izraeli do të kërkonte që të dhënat e veta të inteligjencës të përputheshin edhe me inteligjencën amerikane për këtë çështje, thuhet në raportim, dhe madje edhe nëse ato do të përputheshin, prapë Izraeli do të mund ta shmangte sulmin parandalues.

Njësoj si Izraeli, thuhej se as Shtetet e Bashkuara të dielën nuk ishin të sigurta se si do të ishte sulmi nga Irani, pasi besonte se Teherani ende nuk kishte marrë një vendim përfundimtar dhe kishte pak gjasa që ta kishte përfunduar bashkërendimin me grupet aleate.

Edhe nëse sulmi i Iranit kësaj radhe është më i madh se ai i prillit, vlerësimi brenda qeverisë izraelite është se vendi do të jetë në gjendje që ta sprapsë atë dhe do të arrijë që të ndërtojë mbrojtje të duhur me ndihmën e një koalicioni aleatësh, raporton “Ynet”./Nacionale

Lajme të ngjashme