Putini thotë se forcat ruse po krijojnë një “zonë neutrale” në kufirin me Ukrainën - NACIONALE

Putini thotë se forcat ruse po krijojnë një “zonë neutrale” në kufirin me Ukrainën

3 javë më parë

nga NACIONALE

Forcat e armatosura ruse janë duke krijuar një “zonë neutrale të sigurisë” përgjatë kufirit mes Rusisë e Ukrainës, tha të enjten presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin.

“Unë tashmë kam thënë se një vendim është marrë për ta krijuar zonën neutrale të nevojshme të sigurisë përgjatë kufirit. Forcat tona të armatosura aktualisht janë duke e zgjidhur problemin. Pikat e zjarrit të armikut po shtypen në mënyrë aktive, puna është duke u bërë” – tha kreu i Kremlinit, raporton televizioni CNN.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, tha se ky plan është “agresiv” dhe dëshmon që “Rusia është pengesa ndaj përpjekjeve të paqes tani”.

Njoftimi i së enjtes u bë para një këmbimi të pritshëm të të burgosurve mes Ukrainës e Rusisë – rezultat i bisedimeve të drejtpërdrejta të javës së kaluar mes dy palëve në Turqi, hera e parë që dy vendet mbajtën negociata sy më sy në tri vitet e fundit.

Presidenti rus edhe më parë e kishte ngritur mundësinë e krijimit të një “zone neutrale” në mars, gjatë një vizite në rajonin Kursk të Rusisë. A i këmbënguli në këtë plan të enjten gjatë një takimi me anëtarë të kabinetit qeveritar, në të cilin e diskutoi nevojën për “rikthimin dhe rindërtimin e gjithçkaje që është shkatërruar” në rajonin kufitar.

“(Ne duhet) t’i ndihmojmë njerëzit që të kthehen në fshatrat e tyre vendëse, në vendbanime dhe ku e lejojnë kushtet e sigurisë, të rikthehen transporti dhe pjesa tjetër e infrastrukturës” – shtoi Putini.

Mediat shtetërore ruse raportuan të enjten se Putini është duke planifikuar që të organizojë një takim për të diskutuar rreth projekteve të “restaurimit”.

Njoftimi vjen disa ditë pasi presidenti rus e vizitoi rajonin e Kurskut për herë të parë që nga koha kur Rusia pretendoi se e kishte rimarrë tërësisht atë pjesë nga forcat ukrainase, të cilat kishin nisur një sulm të befasishëm matanë kufirit në gushtin e vitit të kaluar./Nacionale

Lajme të ngjashme