Presioni i botës ndaj Izraelit bëri që Hamasi ta ashpërsojë pozicionin, ankohet ministri - NACIONALE

Presioni i botës ndaj Izraelit bëri që Hamasi ta ashpërsojë pozicionin, ankohet ministri

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, tha të martën se presioni ndërkombëtar ndaj vendit të tij “tashmë është bërë shkak që Hamasi ta ashpërsojë pozicionin e vet” në bisedimet për armëpushim.

“Ky presion është duke i sabotuar drejtpërdrejt gjasat për një marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve” – tha para gazetarëve kryediplomati izraelit, raporton televizioni CNN.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i tërhoqën ekipet e tyre negociuese nga Katari, ku ishin duke u zhvilluar bisedime. Emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha se përgjigjja e fundit e Hamasit “qartazi tregon mungesë dëshire për arritjen e një armëpushimi”.

Një burim i afërt me delegacionin e Hamasit tha të hënën se grupi po e shqyrton ashpërsimin e pozicionit të vet në bisedimet e reja të mundshme, pasi Izraeli dhe ShBA-ja i tërhoqën ekipet e tyre negociuese.

Ndaj Izraelit është shtuar presioni ndërkombëtar për ta lejuar hyrjen e ndihmave në Rripin e rrethuar të Gazës, përderisa kriza e urisë po përshkallëzohet.

Sidoqoftë, ministri izraelit Sa’ar tha se presioni ndërkombëtar “nuk do të funksionojë”.

“Izraeli nuk do të jetë Çekosllovakia e shekullit të 21-të. Ne nuk do ta sakrifikojmë ekzistencën tonë për hir të shteteve zbutëse” – tha kryediplomati izraelit./Nacionale

Lajme të ngjashme