Presidenti gjerman i bën thirrje ShBA-së që të mos heqë dorë nga aleatët
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të mbajnë në mend se aleatët e tyre janë të domosdoshëm, përderisa homologut amerikan, Joe Biden, ia dha urdhrin më të lartë gjerman të meritave të premten për shërbimin që ua ka bërë lidhjeve transatlantike.
Vizita e Bidenit në Berlin për të diskutuar çështje të ndryshme, përfshirë luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Lindje të Mesme, vjen në kohën kur në ShBA po afrohen zgjedhjet presidenciale, raporton agjencia “Reuters”.
Rizgjedhja e mundshme e republikanit Donald Trump president është shkak për brengosje në shumë shtete evropiane si Gjermania, e cila kishte pësuar përkeqësim të marrëdhënieve me Uashingtonin në mandatin e parë të miliarderit, nga viti 2017 deri më 2021.
“Vetëm disa vjet më parë, largësia ishte rritur aq shumë, saqë ne gati e humbëm njëri-tjetrin” – tha presidenti gjerman në një fjalim, pasi Bideni u mirëprit në Berlin para pallatit presidencial me nderime ushtarake.
“Kur ju u zgjodhët president, e kthyet shpresën e Evropës në aleancën transatlantike brenda natës – në kuptimin e fjalëpërfjalshëm” – shtoi Steinmeier-i.
Trumpi ka dhënë shenja se do të ishte më ngurrues se Bideni për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën kundër pushtimit rus. Ai gjithashtu ka lënë të kuptohet se ndihma amerikane për aleatët brenda NATO-s do të vinte me kushte të bashkëngjitura.
“NATO-ja është aleancë e domosdoshme. Prandaj, në muajt e ardhshëm, unë shpresoj që evropianët të mbajnë në mend se Amerika është e domosdoshme për ne dhe shpreson që amerikanët të mbajnë në mend se aleatët tuaj janë të domosdoshëm për ju” – tha më tej presidenti gjerman.
Në anën tjetër, Bideni tha se Perëndimi nuk mund të heqë dorë nga Ukraina, e cila tani ballafaqohet me një dimër të zymtë para vetes, dhe e falënderoi Gjermaninë për mbështetjen. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë mbështetëset kryesore ushtarake dhe financiare të Ukrainës.
“Ne nuk mund të heqim dorë. Ne duhet ta mbajmë përkrahjen tonë. Në pikëpamjen time, ne duhet të vazhdojmë derisa Ukraina të fitojë një paqe të drejtë e të qëndrueshme në përputhje me Kartën e OKB-së” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ai pritet të zhvillojë takim me dyer të mbyllura me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, para një dreke ku do të diskutohen çështje të sigurisë, tregtisë dhe tema të tjera ekonomike.
Më vonë, udhëheqësve në Berlin do t’u bashkohen edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron./Nacionale