“Pikë pa kthim”: Shkencëtarët thonë se po afrohet çasti kur ngrohja globale s’mund të ndalet më
Bota është më afër sesa është menduar një “pike pa kthim” pas së cilës ngrohja globale nuk do të mund të ndalet, thonë shkencëtarët.
Ngrohja e vazhdueshme globale mund të nxisë pikë kulmore sa i përket klimës, duke çuar në një varg pikash kulmore të tjera, thanë ata. Një gjë e tillë do ta ngujonte botën në një klimë “serrë” të re dhe të rëndë, shumë më të keqe se rritja e temperaturës prej 2 – 3 gradësh që është në rrugë për ta arritur. Edhe klima gjithashtu do të ishte shumë më ndryshe se kushtet e përshtatshme të 11 mijë viteve të kaluara, periudhë gjatë të cilës u zhvillua i tërë civilizimi njerëzor, raporton gazeta “The Guardian”.
Me vetëm 1,3 gradë Celsius ngrohje globale viteve të fundit, moti ekstrem tashmë po merr jetë dhe po e shkatërron jetesën në mbarë globin. Me rritje prej 3 – 4 gradësh, “ekonomia dhe shoqëria do të pushojë së ekzistuari në mënyrën si e njohim”, thanë javën e kaluar shkencëtarët, por “Toka serrë” do të ishte edhe më përvëluese.
Publiku dhe politikanët kanë qenë kryesisht të pavetëdijshëm për rrezikun e kalimit të pikës pa kthim, thanë hulumtuesit. Grupi i shkencëtarëve tha se ata po e lëshojnë këtë paralajmërim për shkak se, përderisa zvogëlimi i shpejtë dhe i menjëhershëm i djegies së lëndëve fosile është sfidues, ndryshimi i drejtimit me gjasë do të jetë i pamundur porsa të hyjmë në rrugën drejt Tokës serrë, edhe nëse gazrat në fund pakësohen.
Është vështirë që të parashikohet se kur pikat kulmore mund të nxiten, duke e bërë jetik kujdesin paraprak, tha Dr. Christopher Wolf, shkencëtar në “Terrestrial Ecosystems Research Associates” në Shtetet e Bashkuara. Ai është anëtar i një ekipi studimesh që i përfshin profesorin Johan Rockstrom nga Instituti i Potsdamit për Hulumtimin e Ndikimit të Klimës në Gjermani dhe profesorin Hans Joachim Schellnhuber nga Instituti Ndërkombëtar për Analizën e Sistemeve të Aplikuara në Austri.
“Kapërcimi madje i disave prej pragjeve mund ta çojë planetin drejt një trajektoreje të Tokës serrë” – tha Wolf. “Politikëbërësit dhe publiku mbeten kryesisht të pavetëdijshëm për rreziqet që paraqiten nga ai që praktikisht do të ishte një pikë pa kthim” – shtoi ai.
“Ka gjasë që temperaturat globale [tashmë] janë po aq të ngrohta ose më të ngrohta se në cilëndo pikë në 125.000 vitet e fundit dhe se ndryshimi i klimës po avancon më shpejt sesa që kanë parashikuar shumë shkencëtarë” – paralajmëroi shkencëtari.
Ka gjasë, gjithashtu, që nivelet e dyoksidit të karbonit janë më të lartat në të paktën 2 milionë vitet e fundit.
“Hulumtimi tregon se disa pjesë përbërëse të sistemit të Tokës mund të jenë më afër destabilizimit sesa besohej dikur. Përderisa rreziku i saktë është i paqartë, është e qartë se zotimet e tanishme [për veprime] klimatike janë të pamjaftueshme” – thuhet në studim./Nacionale