Pavarësisht frikës së rekrutimit, bie numri i rusëve që ikin nga vendi - NACIONALE

Pavarësisht frikës së rekrutimit, bie numri i rusëve që ikin nga vendi

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Sipas autoriteteve lokale, ditëve të fundit numri i rusëve që kanë kaluar në vendet fqinje është ulur, pavarësisht ankthit të vazhdueshëm për mobilizimin e pjesshëm që Kremlini filloi më pak se dy javë më parë për të forcuar forcat ruse në Ukrainë.

Eksodi masiv i burrave rusë – vetëm, me familjet ose miqtë e tyre – filloi më 21 shtator, menjëherë pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi thirrjen e pjesshme të rezervistëve. Në Rusi, shumica dërrmuese e meshkujve nën moshën 65 vjeç janë të regjistruar si rezervistë, kështu që biletat e linjave ajrore për në destinacionet jashtë vendit u shitën brenda disa orësh. E menjëherë pas kësaj, në rrugët drejt kufijëve të Rusisë u krijuan radhë të gjata makinash.

Deri ditën e martë, mbi 194,000 rusë kishin kaluar në Kazakistan, Gjeorgji dhe Finlandë. Por, sipas zyrtarëve nga të tre vendet, deri në fund të javës fluksi ishte ulur. Nuk është ende e qartë nëse kjo ulje e numrit lidhet me qendrat e përkohshme të rekrutimit ushtarak që autoritetet ruse kanë ngritur përgjatë kufijve tokësorë.

Kujtojmë se, të premten, Finlanda ndaloi rusët me viza turistike të hynin në vend dhe atë ditë u lejua kalimi i vetëm 1,688 rusëve, krahasuar me rreth 8,000 që kishin kaluar fundjavën e kaluar.

Edhe Gjeorgjia regjistroi një numër më të ulët të hyrjes së rusëve me 6,109 të enjte dhe të premte, krahasuar me 9,642 të një jave më parë.

Ulja e fluksit të rusëve në Gjeorgji, e cila së bashku me Kazakistanin përbën dy destinacionet më të njohura për ata që kalojnë nga toka, mund të ketë të bëjë edhe me kufizime. Pasi, të mërkurën, zyrtarët në rajonin jugor të Rusisë të Osetisë së Veriut, ku ndodhet pika e vetme e kalimit tokësor në Gjeorgji, kufizuan hyrjen e makinave nga rajone të tjera në një përpjekje për të frenuar eksodin.

Megjithatë, edhe zyrtarët në Kazakistan vunë re një rënie të numrit, edhe pse nuk janë zbatuar kufizime zyrtare në asnjërën anë të kufirit të saj me Rusinë.

Kujtojmë se, Kremlini ka thënë se planifikon të thërrasë rreth 300,000 njerëz, por mediat ruse raportuan se numri mund të shkojëë deri në 1.2 milionë, një pretendim që zyrtarët rusë e kanë mohuar.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka premtuar se do të rekrutojë vetëm ata që kanë përvojë luftarake ose shërbimi, por sipas raporteve të shumta të mediave dhe avokatëve të të drejtave të njeriut, ata janë duke mbledhur edhe burrat që nuk i plotësojnë kriteret, përfshirë protestuesit.

Lajme të ngjashme