Orteku lë tre skitarë të vdekur në një resort në Alpet Franceze
Tre skitarë vdiqën, pasi u zunë nga orteku në një resortin e skijimit Val d’Isere në Alpet Franceze të premten, u tha gazetarëve Cedric Bonnevie, përgjegjës për pistat e skijimit në këtë qendër.
Bonnevie tha se njëri nga viktimat është shtetas francez, ndërsa dy të tjerët të huaj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai shtoi se është duke u zhvilluar një hetim për incidentin. Duket se njëra nga viktimat ishte zënë nga orteku në pjesën e sipërme të malit dhe dy të tjerët ishin pjesë e një grupi prej pesë personash, përfshirë një udhërrëfyes profesionist, në një zonë më të ulët, dhe nuk e panë ortekun që po afrohej, sipas përgjegjësit për pista.
Bonnevie tha se nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi ortekun.
Shërbimi kombëtar francez i motit, Meteo France, të enjten e kishte vendosur zonën nën paralajmërim të kuq për rrezik nga ortekët.