OBSH: Lija e majmunëve nuk do të kthehet në pandemi, por ka shumë të panjohura - NACIONALE

OBSH: Lija e majmunëve nuk do të kthehet në pandemi, por ka shumë të panjohura

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekspertja kryesore e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për linë e majmunëve ka thënë se nuk pritet që rastet e raportuara deri më tani të kthehen në një tjetër pandemi.

Megjithatë, Dr. Rosamund Lewis, pranoi se ka ende shumë të panjohura rreth sëmundjes, duke përfshirë mënyrën e përhapjes dhe nëse do të ketë ndonjë efekt në përshpejtimin e transmetimit të saj pezullimi i imunizimit masiv kundër lisë, që është bërë dekada më parë.

Në një seancë publike të hënën, Lewis tha se në mënyrë që shkencëtarët të mund të studiojnë më tej çështjen, ishte kritike të theksohej se shumica dërrmuese e rasteve ishin te homoseksualët, biseksualët ose burrat që bëjnë seks me burra

“Është shumë e rëndësishme ta përshkruajmë këtë sepse duket se është një rritje në një mënyrë transmetimi që mund të jetë nën-njohur në të kaluarën,” tha Lewis, drejtuese teknike e OBSH-së për linë e majmunëve.

"Për momentin, ne nuk jemi të shqetësuar për një pandemi globale," tha ajo. "Ne jemi të shqetësuar se individët mund ta marrin këtë infeksion përmes ekspozimit me rrezik të lartë nëse nuk kanë informacionin që u nevojitet për të mbrojtur veten."

Ajo po ashtu paralajmëroi se çdokush është në rrezik potencial të sëmundjes, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual.

Ekspertë të tjerë kanë theksuar se mund të jetë aksidentale që sëmundja u kap për herë të parë te meshkujt homoseksualë dhe biseksualë, duke thënë se ajo mund të përhapet shpejt në grupe të tjera nëse nuk frenohet.

Deri më sot, OBSH tha se janë raportuar më shumë se 250 raste nga 23 vende që nuk kanë pasur më parë linë e majmunëve.

Shumica e pacientëve me linë e majmunëve përjetojnë vetëm temperaturë, dhimbje trupi, të dridhura dhe lodhje. Ndërsa, njerëzit me sëmundje më serioze mund të zhvillojnë një skuqje dhe lezione në fytyrë dhe duar që mund të përhapen në pjesë të tjera të trupit. Deri më tani nuk është raportuar asnjë vdekje nga kjo sëmundje.

Lajme të ngjashme