NYT: Trumpi bllokoi një sulm të planifikuar të Izraelit ndaj qendrave bërthamore të Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bllokoi një sulm të planifikuar izraelit ndaj qendrave bërthamore të Iranit në favor të negocimit të një marrëveshjeje me Teheranin për ta kufizuar programin e tij bërthamor, raportoi të mërkurën gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, duke cituar zyrtarë të administratës dhe persona të tjerë.
Izraeli kishte zhvilluar plane për t’i sulmuar ato qendra në maj, sipas gazetës, e cila shtoi se qëllimi ishte që të dëmtohej aftësia e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore për një vit ose më shumë, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gazeta “The New York Times” raporton se asistenca e Shteteve të Bashkuara ishte kërkuar jo vetëm për ta mbrojtur Izraelin nga hakmarrja e Iranit, por gjithashtu për t’u siguruar që sulmi të ishte i suksesshëm.
Pas disa muajve me debat të brendshëm, Trumpi mori vendim që të kërkonte bisedime me Iranin, në vend se ta mbështeste veprimin ushtarak.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan bisedime në Oman të shtunën e kaluar, hera e parë gjatë një administrate të udhëhequr nga Trumpi, përfshirë mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë në periudhën 2017 – 2021.
Të dyja vendet i kanë përshkruar këto bisedime si “pozitive” dhe “konstruktive”.
Rundi i dytë i bisedimeve është caktuar për të shtunën e kësaj jave, ndërsa një burim i njoftuar rreth planifikimit të tyre tha se takimi me gjasë do të mbahet në Romë të Italisë./Nacionale