NYT: Një luftë tjetër Izrael – Iran po shihet gjithnjë më shumë vetëm si çështje kohe
Një luftë tjetër mes Izraelit e Iranit është “vetëm çështje kohe”, sipas një raporti të gazetës së njohur amerikane, “The New York Times”, e cila thotë se Irani ka rezerva të uraniumit të pasuruar dhe po garon për të prodhuar mijëra raketa.
Në raportin e publikuar të dielën hidhen dyshime mbi idenë se lufta 12-ditore mes këtyre shteteve në qershor e ka eliminuar rrezikun nga programi bërthamor i Iranit. Aty thuhet se ekspertët dhe zyrtarët në Lindjen e Mesme po besojnë gjithnjë e më shumë se sulmet izraelite e amerikane kanë shkaktuar dëm më të vogël ndaj qendrave bërthamore të Iranit sesa që është menduar më parë dhe se të dyja vendet po përgatiten për mundësinë e një konflikti tjetër, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
“Rezervat e uraniumit shumë të pasuruar të Iranit, të mjaftueshme për të prodhuar 11 armë bërthamore, ose janë varrosur nën rrënoja, siç pretendon Irani, ose janë larguar në një vend të sigurt, siç besojnë zyrtarët izraelitë” – thuhet në raportin e gazetës së famshme.
Edhe faktorë të tjerë bëjnë më të mundshme një luftë të re, thuhet në raport. Në mesin e tyre është një ngërç i vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që ishin angazhuar në disa runde bisedimesh para se Uashingtoni t’i bashkohej fushatës bombarduese të Izraelit në qershor. Për më tepër, marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit, ShBA-së e disa vendeve evropiane ka skaduar rishtazi, duke nxitur sanksione të ashpra ndaj Iranit.
Këta faktorë, të shoqëruar nga puna intensive e Iranit në një qendër të re të pasurimit të uraniumit, në të cilën po refuzon t’u japë qasje inspektorëve ndërkombëtarë, po ndikojnë që shumë njerëz në Gjirin Persik të mendojnë se një sulm tjetër izraelit është “pothuajse i pashmangshëm”, thuhet më tej në raport.
Në përgatitje për luftën e ardhshme, Teherani e ka shtuar dukshëm prodhimin e raketave, duke punuar vazhdimisht me shpresën se do të jetë në gjendje që “të hedhë 2.000 raketa përnjëherë për ta dërrmuar sistemin mbrojtës të Izraelit, jo 500 për 12 ditë” – tha Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Izraelit i duket se puna është e papërfunduar dhe nuk sheh arsye për të mos e rinisur konfliktin, prandaj Irani po e fuqizon përgatitjen për rundin e ardhshëm” – shtoi ai, edhe pse pranoi se nuk ka ndonjë sugjerim se do të ketë luftime të reja brenda një kohe të shkurtër në të ardhmen./Nacionale