NOS: Holanda synon që ta rrisë personelin ushtarak nga 74.000 në 200.000 - NACIONALE

NOS: Holanda synon që ta rrisë personelin ushtarak nga 74.000 në 200.000

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Holanda dëshiron që ta rrisë numrin e personelit ushtarak nga 74 mijë në 200 mijë pjesëtarë, me fokus të veçantë në rritjen e kapacitetit të rezervistëve, raportoi televizioni publik holandez NOS, duke cituar burime të afërta me çështjen.

Transmetuesi publik holandez nuk publikoi ndonjë afat kohor se kur do të arrihej kjo shifër personeli, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas të dhënave qeveritare të Holandës, anëtare e NATO-s, ushtria holandeze tani për tani përbëhet nga 42 mijë e 305 ushtarë profesionistë, 24 mijë e 212 anëtarë stafi dhe 7 mijë e 483 rezervistë.

Ministria e Mbrojtjes e Holandës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, që iu dërgua përmes postës elektronike.

Frika rreth synimeve të Rusisë dhe dyshimeve për mbrojtjen nga Shtetet e Bashkuara në të ardhmen po nxisin shtete evropiane që t’i rimendojnë politikat e tyre të mbrojtjes.

Të mërkurën, në një dokument të BE-së u tha se Evropa duhet t’i rrisë më tej shpenzimet ushtarake, të kombinojë burime në projekte të përbashkëta të mbrojtjes dhe të blejë më shumë armë evropiane./Nacionale

Lajme të ngjashme