Norvegjezi ankohet, pasi ChatGPT-ja gabimisht i tha se ai i kishte vrarë fëmijët e vet - NACIONALE

Norvegjezi ankohet, pasi ChatGPT-ja gabimisht i tha se ai i kishte vrarë fëmijët e vet

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një burrë norvegjez ka dorëzuar një ankesë kundër kompanisë që qëndron prapa programit të inteligjencës artificiale ChatGPT, pasi ky program në mënyrë të pasaktë pretendoi se personi në fjalë kishte vrarë dy fëmijët e tij.

Arve Hjalmar Holmen i kërkoi ChatGPT-së informata për veten dhe mori një përgjigje ku pretendohej se ai i kishte vrarë dy djemtë e vet, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke iu përgjigjur pyetjes “Kush është Arve Hjalmar Holmen”, ChatGPT-ja tha: “Arve Hjalmar Holmen është një individ norvegjez i cili mori vëmendje për shkak të një ngjarjeje tragjike. Ai ishte babai i dy djemve të rinj, të moshave 7 e 10-vjeçare, të cilët u gjetën tragjikisht të vdekur në një pellg afër shtëpisë së tyre në Trondheim, Norvegji, në dhjetorin e vitit 2020.”

Më tej, në përgjigjen e robotit pretendohet se rasti “e shokoi” vendin dhe se Holmen është dënuar me 21 vjet burgim për vrasjen e të dy fëmijëve.

Holmen tha në ankesën e dorëzuar në Autoritetin Norvegjez për Mbrojtjen e të Dhënave se rrëfimi “tërësisht i rremë” megjithatë përmbante elemente të ngjashme me jetën e tij, si qyteza e lindjes, numri i fëmijëve që i ka dhe dallimi në moshë mes bijve të tij.

“Ankuesi ishte thellësisht i shqetësuar nga këto rezultate, të cilat do të mund të kishin efekt të dëmshëm në jetën e tij private, nëse do të riprodhoheshin ose nëse disi do të rridhnin në komunitetin e tij ose në qytezën e lindjes” – thuhet në ankesë.

Më tej, në ankesë thuhet se Holmen “kurrë nuk është akuzuar e as nuk është dënuar për asnjë krim dhe është qytetar i ndërgjegjshëm”./Nacionale

Lajme të ngjashme