Një ushtar francez i vrarë e gjashtë të plagosur pas një sulmi me dron në Irak - NACIONALE

Një ushtar francez i vrarë e gjashtë të plagosur pas një sulmi me dron në Irak

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një ushtar francez u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën pas një sulmi me dron iranian në pjesën veriore të Irakut. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ky sulm është i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm.

Ushtarët e prekur, në mesin e 600 pjesëtarëve të personelit francez me bazë në Irak, po ofronin trajnime kundër terrorizmit në rajon si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar për luftën kundër ISIS-it dhe u goditën të enjten, vetëm disa orë pasi një bazë italiane gjithashtu u vu në shënjestër në atë zonë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Oficeri i vdekur, ushtari i parë evropian i vrarë në konflikt, u identifikua si Arnaud Frion. Koloneli François-Xavier de la Chesnais u tha gazetarëve se prapa sulmit qëndron një dron “Shahed” i prodhimit iranian.

“Ky sulm kundër forcave tona të angazhuara në luftën kundër Daesh-it (ISIS) që nga viti 2015 është i papranueshëm. Prania e tyre në Irak është prerazi brenda kornizës së luftës kundër terrorizmit. Lufta në Iran nuk mund të justifikojë sulme të tilla” – shkroi Macroni në rrjetin X.

Ky sulm është shenja më e re e përshkallëzimit në rajon 13 ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore kundër Iranit, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani që i ka vënë në shënjestër disa shtete të rajonit.

Një bazë e forcave detare franceze në Emiratet e Bashkuara u godit një javë më parë, edhe pse zyrtarët ishin përpjekur që ta minimizonin peshën e sulmit. Megjithatë, një zyrtar tha se me këtë sulm ishte vënë në shënjestër në mënyrë specifike Franca.

Lajme të ngjashme