Një burrë ther dy nxënëse në Gjermani, njëra vdes, tjetra në gjendje serioze
Një vajzë 14-vjeçare ka vdekur dhe një tjetër e moshës 13-vjeçare është plagosur rëndë, pasi ato u sulmuan me thikë nga një burrë përderisa ishin duke shkuar në shkollë në pjesën jugore të Gjermanisë.
Policia ka thënë se i dyshuari doli nga një vendstrehim për refugjatë në qytezën Illerkirchberg të hënën në mëngjes dhe i sulmoi nxënësit. Njëra vajzë vdiq më vonë në spital, raporton televizioni BBC.
Policia gjermane ka arrestuar një burrë 27-vjeçar, për të cilin ka thënë se është azilkërkues nga Eritrea.
Policët bastisën një ndërtesë dhe e gjetën të dyshuarin me një thikë për të cilën dyshojnë se është përdorur në sulm. Autoritetet kanë ndaluar edhe dy burra të tjerë.
I dyshuari është duke u ruajtur nga policia në një spital, ku po trajtohet për një lëndim të pasaktësuar, përcjell gazeta Nacionale.
Përmes një deklarate, policia i bëri thirrje publikut që të mos e përdorë këtë incident për të ngritur dyshime ndaj të huajve ose azilkërkuesve.
“Gjithçka e lidhur me këtë, është e paqartë deri më tani”- u tha gazetarëve zëdhënësi i policisë, Wolfgang Juergens.
Mediet lokale raportuan se vajza 13-vjeçare është duke u shëruar nga plagët, të cilat nuk e kanë vënë në rrezik për jetë.
Ministrja e Punëve të Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, tha se lajmi i tmerrshëm e ka dridhur atë.
“Pikëllohem për vajzën që është vrarë dhe sinqerisht shpresoj që vajza e lënduar do të shërohet... Policia është duke i hetuar të gjitha prapavijat me intensitet”- tha ajo.
Qyteza Illerkirchberg ka më pak se 5.000 banorë, sipas regjistrimit të vitit 2015. Kryetari i saj, Markus Haeussler, tha se të gjithë banorët janë tmerruar nga therja e dy vajzave.