Nigeria dënon me varje pesë burra për vrasjen e një gruaje që e akuzonin për magji - NACIONALE

Nigeria dënon me varje pesë burra për vrasjen e një gruaje që e akuzonin për magji

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Pesë burra janë dënuar me vdekje përmes varjes në shtetin Kano të Nigerisë për vrasjen e një gruaje në vitin 2023, të cilën e akuzonin se kishte bërë magji.

Burrat e dënuar e kishin sulmuar 67-vjeçaren Dahare Abubakar, kur ajo ishte duke punuar në fermën e saj, duke e rrahur e duke e therur për vdekje, raporton televizioni BBC.

Familja e zonjës Abubakar shkoi tek autoritetet për ta paraqitur rastin dhe të dyshuarit u arrestuan shpejt në një fshat 45 kilometra larg qytetit Kano, më i madhi në pjesën veriore të Nigerisë.

Rasti kishte marrë vëmendje në mbarë shtetin dhe kishte ngritur diskutime për atë se si njerëzit në zona rurale vazhdojnë të vriten pas akuzave se kanë bërë magji.

Ata që i bëjnë pretendimet pa ndonjë dëshmi, besojnë se personat që i akuzojnë janë përgjegjës për vdekjen, sëmundjen ose ndonjë fatkeqësi të një anëtari të familjes.

Duke e shqiptuar dënimin, gjykatësi Usman Na’abba tha se prokurori e kishte vërtetuar rastin e tyre kundër pesë burrave përtej dyshimit të arsyeshëm.

Prokurori Abba Sorondiki tha se ai shpreson që ky gjykim t’i frenojë të tjerët nga bërja e akuzave të gabuara dhe pastaj nga marrja e çështjes në duart e tyre.

Në gjykatë u tha se viktima ishte vrarë, pasi bashkëshortja e sëmurë e njërit prej të akuzuarve, Abdulaziz Yahaya, kishte parë një ëndërr duke u ndjekur nga gruaja tashmë e vrarë, e cila mbante në dorë një thikë.

Yahaya pastaj organizoi një grup për t’u ballafaquar me zonjën e moshuar, që rezultoi në vrasjen e saj./Nacionale

Lajme të ngjashme