“Nëse s’hiqet menjëherë…”: Trumpi kërcënon BE-në me taksë 200 për qind ndaj disa produkteve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do t’u vendosë taksë prej 200 për qind të gjitha verërave, shampanjave dhe produkteve të tjera alkoolike të vendeve të BE-së, nëse blloku nuk largon menjëherë një taksë prej 50 për qind ndaj uiskit amerikan.
Bashkimi Evropian të mërkurën vendosi taksa hakmarrëse ndaj uiskit amerikan, pasi presidenti Trump miratoi tarifa shtesë ndaj importeve të çelikut e aluminit, raporton gazeta “The Guardian”.
“Bashkimi Evropian, njëri nga autoritetet taksuese më armiqësore dhe më abuzive në botë, i cili ishte themeluar për qëllimin e vetëm për t’i shfrytëzuar Shtetet e Bashkuara, porsa ka vendosur një taksë të ndyrë prej 50 për qind ndaj uiskit” – shkroi presidenti Trump në rrjetin “Truth Social”.
“Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, ShBA-ja për një kohë të shkurtër do të vendosë një tarifë 200 për qind ndaj të gjitha verërave, shampanjave dhe produkteve alkoolike që vijnë nga Franca dhe shtetet e tjera të përfaqësuara të BE-së. Kjo do të jetë e mrekullueshme për bizneset e verës dhe shampanjës në ShBA” – paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.