Nën presion nga protestat në Serbi, Vuçiqi i thellon lidhjet me Kinën - NACIONALE

Nën presion nga protestat në Serbi, Vuçiqi i thellon lidhjet me Kinën

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën i thelloi lidhjet me Kinën gjatë një vizite në Pekin, derisa po ballafaqohet me presion në vendin e tij nga protestat anti-qeveritare, përfshirë një tubim të madh që nxiti përleshje gjatë fundjavës.

Pas takimit me homologun kinez, Xi Jinping, dy udhëheqësit e mbikëqyrën nënshkrimin e më shumë se 20 marrëveshjejeve të bashkëpunimit, të cilat mbulojnë fusha si politika, tregtia, teknologjia, dhe arsimi, raportoi televizioni shtetëror kinez, CCTV. Gjatë bisedimeve, Xi i tha Vuçiqit se vendet e tyre duhet t’i fuqizojnë këmbimet dhe bashkëpunimin për ta çuar drejt majave të reja partneritetin gjithëpërfshirës strategjik, transmeton agjencia “Associated Press”.

“Kina e mbështet Serbinë në vazhdimësinë në një rrugë zhvillimi që u përshtatet kushteve të saj kombëtare dhe është e gatshme që t’i fuqizojë këmbimet e përvojës qeverisëse me Serbinë” – citohet të ketë thënë presidenti kinez, sipas CCTV-së.

Xi gjithashtu tha se të dyja palët duhet ta zgjerojnë bashkëpunimin për inteligjencës artificiale, ekonominë digjitale dhe energjinë e gjelbër për të zhvilluar drejtime të reja të rritjes.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga agjencia zyrtare kineze e lajmeve, “Xinhua”, të dyja palët thanë se dy vendet nuk duhet t’i politizojnë çështjet e të drejtave të njeriut, se dy vendet do ta promovojnë barazinë sovrane, do ta zbatojnë multilateralizmin dhe do ta respektojnë sundimin ndërkombëtar të ligjit.

Vuçiqi tha se Serbia i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të lidhjeve me Kinën dhe me vendosmëri i mbështet interesat kyçe të saj, raporton televizioni CCTV, ndërsa agjencia “Xinhua” tha se Xi ia dha homologut serb “medaljen e miqësisë”.

Vuçiqi, i cili e nisi vizitën shtetërore 5-ditore në Kinë të dielën, po ballafaqohet me presion politik në vendin e tij. Përleshje shpërthyen mes grupeve të protestuesve dhe policisë pas një tubimi të madh anti-qeveritar të shtunën, ku morën pjesë dhjetëra mijëra kundërshtarë në kryeqytetin Beograd./Nacionale

Lajme të ngjashme