Në Armeni, shtimi i shkeljeve të armëpushimit sjell frikë për luftë me Azerbajxhanin
Rënia e territ është kohë me ankth për banorët e Khnatsakh-ut.
Për çdo mbrëmje rreth orës 22:00, zjarri i armëve automatike jehon në fshatin e vogël armen, thonë banorët – zhurma e trupave azere duke shtënë në qiellin e natës nga pozicionet e tyre matanë kufirit, në një zonë më të ngritur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Plumbat rregullisht godasin shtëpi, edhe pse askush nuk është lënduar deri më tani, thonë fshatarët. Azerbajxhani mohon se trupat e tij kanë qenë duke shkrepur me armë matanë kufirit dhe i ka akuzuar ushtarët armenë për shkeljen e armëpushimit.
“Është gjendje shumë e tensionuar në shtëpi, sepse kemi fëmijë, të vegjël, dhe të moshuarit” – tha 66-vjeçari Karo Andranyan, mekanik i pensionuar.
Njëqind metra nga dera e tij e hyrjes, në ballin e kodrës, një pozicion ushtarak azer me një flamur që valonte në puhi është përkujtim i afërsisë së rivalit të hidhur të Armenisë. Kufiri 1000-kilometërsh, i militarizuar rëndë, ka qenë i mbyllur që nga vitet e nëntëdhjeta.
Këto dy vende kanë zhvilluar dy luftëra në 40 vitet e fundit, duke e destabilizuar Kaukazin – rajon nëpër të cilin kalojnë naftësjellës e gazsjellës të rëndësishëm drejt Evropës dhe ka peshë strategjike për Rusinë, Iranin dhe Turqinë.
Tensionet në rritje përgjatë kufirit po e shtojnë rrezikun për përleshje të reja mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, përderisa vendet po i afrohen një udhëkryqi kritik në procesin gjarpërues të paqes, i thanë dy ekspertë agjencisë “Reuters”.
Në mars, të dyja palët thanë se ishin pajtuar për kornizën e një traktatit të paqes që do të mund të nënshkruhej vitin e ardhshëm, duke e shtuar shpresën për pajtim. Në këtë draft parashikohet që të dyja palët ta demarkojnë kufirin e përbashkët, ndërsa Armenisë i kërkohet që ta ndryshojë kushtetutën e saj para se Azerbajxhani ta ratifikojë marrëveshjen.
Megjithatë, nga ajo kohë, raportimet për shkeljen e armëpushimit përgjatë kufirit janë shtuar, pas disa muajve me qetësi relative.
Mekaniku i dalë në pension tha se, sipas mendimit të tij, qëllimi i të shtënave është që të frikësohen banorët e fshatit dhe garnizonin e vogël të trupave armene të stacionuara aty. Ai shtoi se fshati – që sipas të dhënave ka rreth një mijë banorë – po zbrazet, pasi ata po kanë frikë për kthimin e konfliktit.
“Çfarë duhet të bëjmë” – pyeti ai.
Edhe pse nuk ka pasur viktima në kufi nga viti i kaluar, incidentet me të shtëna matanë kufirit raportohen rregullisht. Shumica e akuzave nga muaji mars, ku përshkruhen të shtënat matanë kufirit dhe dëmi ndaj pronave, janë bërë nga Azerbajxhani kundër Armenisë.
Të dyja palët vazhdimisht i kanë mohuar akuzat për shkeljen e armëpushimit.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha në një seancë dëgjimore në Kongres muajin e kaluar se ka “rrezik real” për luftë mes këtyre dy shteteve.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilhan Aliyev, në pushtet që nga viti 2003, tha në janar se Armenia paraqet “kërcënim fashist” që duhet të shkatërrohet./Nacionale