Mjekët raportojnë për vrasjen e një vajze 6-vjeçare dhe një gruaje nga zjarri izraelit në Gaza - NACIONALE

Mjekët raportojnë për vrasjen e një vajze 6-vjeçare dhe një gruaje nga zjarri izraelit në Gaza

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një sulm ajror izraelit ndaj një tende në jug të Rripit të Gazës të hënën la të vrarë dy persona, përfshirë një vajzë 6-vjeçare, ndërsa plagosi 17 të tjerë, përfshirë disa fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Mjekët thanë se nga sulmi ajror izraelit ndaj një kampi tendash të familjeve të zhvendosura në zonën Mawasi të qytetit Khan Younis, në jug të enklavës, u vranë 6-vjeçarja Mennatallah Abu Libda dhe 31-vjeçarja Hanan Mahmoud, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Dëshmitarët thanë se sulmi u krye nga dy helikopterë. Ushtria izraelite i tha agjencisë “Reuters” se kishte goditur militantë në atë zonë, por nuk ofroi informacione të mëtejme.

Armëpushimi i arritur në tetor, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk i ka ndalur sulmet izraelite në Gaza. Izraeli e Hamasi kanë mbetur në ngërç në bisedime të tërthorta rreth zbatimit të fazës së dytë të marrëveshjes, e cila i përfshin çarmatosjen e grupit militant dhe tërheqje të ushtrisë izraelite.

Pas armëpushimit, Izraeli e mbajti nën kontroll më shumë se gjysmën e territorit të Gazës, ndërsa Hamasi kontrollon një copë territori përgjatë bregdetit.

Rreth 900 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, sipas të dhënave të paraqitura nga zyrtarët shëndetësorë në Gaza, në të cilat nuk bëhet dallimi mes luftëtarëve dhe civilëve.

Katër ushtarë izraelitë janë vrarë nga militantët gjatë periudhës së njëjtë, sipas ushtrisë izraelite.

Hamasi nuk i zbulon shifrat e luftëtarëve të vrarë. Izraeli thotë se qëllimi i sulmeve pas armëpushimit është parandalimi i sulmeve ose parandalimi i afrimit të njerëzve te vija e armëpushimit me Hamasin./Nacionale

Lajme të ngjashme