Mbi 6.000 njerëz u vranë për tri ditë në el-Fasher të Sudanit, thotë raporti i OKB-së
Më shumë se 6.000 njerëz u vranë brenda vetëm tri ditëve, kur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), forcë paramilitare që po lufton kundër ushtrisë sudaneze nga viti 2023, e kapën qytetin el-Fasher vitin e kaluar, sipas viktimave dhe dëshmitarëve të cituar në një raport të Kombeve të Bashkuara.
“Ishte si një skenë nga një film horror” – tha një person, i cili pa trupa duke u hedhur në erë, kur luftëtarët e RSF-së hapën zjarr në drejtim të 1.000 njerëzve që po strehoheshin në ndërtesën e një universiteti në tetorin e vitit të kaluar, raporton televizioni BBC.
Në raport citohen dëshmi për vrasje masive, ekzekutime jashtëgjyqësore, torturime, rrëmbime dhe dhunë seksuale kundër civilëve. Këto përbëjnë krime lufte dhe krime të mundshme kundër njerëzimit, thuhet aty.
Forcat e Mbështetjes së Shpejtë nuk e kanë komentuar raportin, por i kanë mohuar akuzat që u janë bërë në të kaluarën.
Sudani mbetet i ngujuar në një luftë gati 3-vjeçare për pushtet mes ushtrisë së rregullt dhe paramilitarëve të RSF-së. Qindra mijëra njerëz janë vrarë gjatë konfliktit, ndërsa më shumë se 13 milionë të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre. Dhuna e përhapur seksuale kundër burrave, grave dhe fëmijëve po përdoret si armë lufte.
Edhe Forcat e Armatosura të Sudanit, edhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë janë akuzuar për mizori.
El-Fasher, qytet kyç në rajonin e Darfurit, ishte për 18 muaj i rrethuar dhe atje raportohet se kanë ndodhur ngjarjet më të tmerrshme në konflikt.
Më shumë se 140 viktima dhe dëshmitarë dhanë dëshmi në Darfur dhe në lindje të Çadit në fund të vitit të kaluar, sipas Zyrës për të Drejtat e Njeriut në OKB.
Në ditët e para të sulmit ndaj qytetit, OKB-ja thotë se “të paktën 4.400 njerëz u vranë” brenda qytetit dhe “më shumë se 1.600 të tjerë përgjatë rrugëve dalëse, përderisa po iknin”./Nacionale