Mbi 1.500 civilë mund të jenë vrarë në sulmin ndaj kampit të refugjatëve “Zamzam” në Sudan
Më shumë se 1.500 civilë mund të jenë masakruar gjatë një sulmi ndaj kampit më të madh të personave të zhvendosur në Sudan në prill të këtij viti, në atë që do të ishte krimi i luftës i dytë më i madh në konfliktin katastrofik të shtetit afrikan.
Sipas një hulumtimi të gazetës britanike “The Guardian” për sulmin 72-orësh nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) ndaj kampit “Zamzam” në Darfurin Verior, më i madhi në vend për njerëzit e zhvendosur nga lufta, janë gjetur rrëfime të përsëritura të ekzekutimeve masive dhe rrëfime të shkallës së lartë. Qindra civilë mbeten të zhdukur.
Shkalla e viktimave të mundshme nënkupton se ky sulm nga RSF-ja renditet i dyti, vetëm pas një masakre të ngjashme etnike në Darfurin Perëndimor para dy vjetëve.
Lufta mes RSF-së të udhëhequr nga arabët dhe ushtrisë sudaneze, e cila shpërtheu në prillin e viti 2023, është karakterizuar nga mizori të përsëritura, duke detyruar miliona njerëz që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe duke e shkaktuar krizën humanitare më të madhe në botë.
Deri më tani, në raportimet për sulmin ndaj kampit “Zamzam” mes 11 e 14 prillit tregonin për deri 400 civilë jo-arabë të vrarë gjatë sulmit treditor. Kombet e Bashkuara kanë thënë se “qindra” njerëz kanë vdekur.
Megjithatë, një komision i themeluar për ta hetuar numrin e të vdekurve deri më tani ka “numëruar” më shumë se 1.500 të vrarë në sulmin që ndodhi pak para një konference të udhëhequr nga qeveria britanike në Londër me qëllim të sjelljes së paqes në Sudan.
Mohammed Sharif, pjesë e komisionit nga ish-administrata e kampit “Zamzam”, tha se numri i përgjithshëm përfundimtar i viktimave mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi shumë trupa ende nuk janë gjetur nga kampi, i cili tani kontrollohet nga RSF-ja.
“Trupat e tyre janë të shtrirë brenda shtëpive, në fusha, në rrugë” – i tha Sharifi gazetës “The Guardian”.
Një ekspert i mizorive me disa dekada përvojë në Darfur, i cili ka intervistuar shumë të mbijetuar nga sulmi në kampin “Zamzam”, beson se deri në 2.000 njerëz mund të jenë vrarë.
Duke folur në kushte anonimiteti, eksperti tha: “Secili rrëfim nga secili që iku njihte anëtarë të familjes që ishin vrarë. Kjo është diçka që unë nuk e kam parë kurrë më herët.”
Abdallah Abugarda nga Shoqata e Diasporës së Darfurit në Britani, tha se rreth 4.500 anëtarë të organizatës njohin një shok ose të afërm të vrarë në këtë sulm. Sipas tij, të paktën 2.000 banorë të kampit “Zamzam” mbeten të zhdukur./Nacionale