Macroni thotë se Irani i ka liruar dy shtetasit francezë, Paris dhe Kohler - NACIONALE

Macroni thotë se Irani i ka liruar dy shtetasit francezë, Paris dhe Kohler

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Irani ka liruar dy shtetas francez që po i mbante të burgosur për më shumë se tre vjet, tha të martën presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në atë që duket si shkëmbim me një student iranian që u lirua me kushte muajin e kaluar.

Cecile Kohler dhe partneri i saj, Jacques Paris, të cilët ishin arrestuar në vitin 2022, “kanë dalë nga burgu Evin dhe janë rrugës për në Ambasadën e Francës në Teheran”, shkroi Macroni në rrjetin X.

“E mirëpres këtë hap të parë. Dialogu vazhdon për ta lejuar kthimin e tyre në Francë sa më shpejt që është e mundshme” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, tha më vonë në rrjetin X se Kohler dhe Paris ishin “të sigurt” në Ambasadën e Francës “para lirimit të tyre përfundimtar”.

Kohler dhe Paris ishin në mesin e dhjetëra shtetasve të huaj dhe të atyre me shtetësi të dyfishtë që janë mbajtur në ndalim në Iran viteve të fundit, shpesh nën akuza që lidhen me spiunimin. Franca ka thënë se akuzat kundër Kohlerit dhe Parisit ishin të pabaza.

Lirimi i tyre iu dha fund viteve të bisedimeve mes dy vendeve për shtetasit francezë të mbajtur në ndalim në Iran – shtatë vetëm nga viti 2022.

Franca në mënyrë të përsëritur e ka akuzuar Iranin për pengmarrje shtetërore dhe mbajtje të shtetasve të saj në mënyrë arbitrare dhe në kushte të ngjashme me torturën. Teherani i mohon akuzat.

Gjasat që Kohleri dhe Parisi të liroheshin u duk se u shtuan, pasi Franca e arrestoi studenten që jetonte në Lyon, Mahdieh Esfandiari, më herët këtë vit për shkak të postimeve të saj kundër Izraelit në rrjete sociale. Ajo u lirua me kushte në fund të tetorit./Nacionale

Lajme të ngjashme