Macroni pritet t’i humbë zgjedhjet që i shpalli vetë, ndoshta me përgjysmim deputetësh - NACIONALE

Macroni pritet t’i humbë zgjedhjet që i shpalli vetë, ndoshta me përgjysmim deputetësh

11 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Tubimi Kombëtar, parti franceze e së djathtës ekstreme, të hënën u parashikua si fituese e zgjedhjeve të parakohshme në Francë, por pa shumicë absolute.

Ky parashikim doli nga sondazhi i parë pas vendimit të presidentit Emmanuel Macron për ta shpërndarë Kuvendin, raporton agjencia “Reuters”.

Pas një humbjeje masive të partisë së tij, Rilindja, në zgjedhjet e së dielës për Parlamentin Evropian, Macroni njoftoi zgjedhje të parakohshme për dhomën e ulët të Kuvendit. Rundi i parë pritet të mbahet më 30 qershor, ndërsa balotazhi më 7 korrik.

Partia euroskeptike dhe kundër emigrantëve e Le Penit do të fitonte 235 deri në 265 ulëse në Asamblenë Kombëtare, rritje e madhe nga 88 deputetët sa ka tani, por më pak se 289 ulëset e nevojshme për shumicë absolute, sipas një ankete të kompanisë “Harris Interactive”, M6 dhe televizionit RTL.

Aleanca e qendrës e Macronit mund të pësojë përgjysmim të numrit të deputetëve, nga 250 në 125 deri në 155, sipas rezultateve të sondazhit. Partitë majtiste së bashku mund të kontrollojnë 115 deri në 145 ulëse, edhe pse secila prej tyre mund të garojë e vetme.

Nuk ka siguri që partia e Le Penit do ta udhëhiqte Qeverinë, me ose pa ndonjë aleancë me partner. Në mesin e skenarëve të tjerë përfshihet një koalicion i gjerë i partive tradicionale ose një përbërje tërësisht e përçarë e Kuvendit, pa ndonjë parti që e ka shumicën e ulëseve.

Edhe nëse Tubimi Kombëtar e fiton shumicën në Kuvend, Macroni do të mbetej president edhe për tre vjet dhe do t’i kishte nën kontroll politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes.

Megjithatë, ai do ta humbte kontrollin ndaj agjendës së brendshme, përfshirë politikat ekonomike, ato të sigurisë, financat dhe migracionin, të cilat pastaj do të preknin politika të tjera, si ndihmat për Ukrainën, sepse presidentit do t’i duhej mbështetja e deputetëve për të financuar ndonjë pako të asistencës nga buxheti i vendit.

“Ende jemi në shok. Gjithçka bën me shenjë drejt fitimit të një shumice relative ose absolute nga Tubimi Kombëtar, por kjo i detyron francezët që të mendojnë se çfarë është në pyetje [në zgjedhje” – tha deputeti i partisë së Macronit, Emmanuel Pellerin./Nacionale

Lajme të ngjashme